Last Updated on 25/09/2025 by adminfjala
Një ngjarje tronditëse ka goditur Argjentinën dhe opinionin publik ndërkombëtar, pasi tre vajza të reja u vranë në mënyrë çnjerëzore nga një grup kriminal i lidhur me trafikun e drogës.
Viktimat u rrëmbyen, u torturuan dhe u dhunuan seksualisht, ndërsa një pjesë e mizorive u transmetua drejtpërdrejt në rrjetin social TikTok, duke nxitur zemërim dhe shqetësim të thellë në mbarë botën.
Ngjarja është cilësuar nga autoritetet si një akt hakmarrjeje i planifikuar nga një bandë narkotrafikantësh, e cila i kishte mashtruar vajzat me ftesën për një “event”, për t’i çuar më pas drejt një ekzekutimi të paramenduar.
Sipas mediave lokale, dy prej viktimave dyshohet se kishin lidhje të mëparshme me grupin dhe ishin akuzuar për vjedhjen e katër kilogramëve kokainë, veprim që mendohet se ka shërbyer si motiv për hakmarrje të dhunshme.
Viktimat janë identifikuar si: Lara Gutierrez, 15 vjeç; Brenda del Castillo, 20 vjeç; Morena Verdi, 21 vjeç, kurse hetuesit kanë zbuluar detaje të rënda nga vendi i ngjarjes që dëshmojnë për brutalitetin e skajshëm të autorëve.
Sipas raporteve zyrtare: Lara Gutierrez kishte pësuar dëmtime të rënda në dorën e majtë përpara ekzekutimit; Brenda del Castillo kishte plagë të thella në kokë dhe plagë të shkaktuara me mjet prerës në bark; Morena Verdi ishte mbytur me një qese plastike të vendosur në kokë.
Trupat e tyre u gjetën të groposur në një kopsht privat, pesë ditë pas raportimit të zhdukjes. Hetimet tregojnë se vendi i krimit ishte një banesë e përdorur nga grupi si bazë operacionale.
Ministri i Sigurisë i Buenos Aires-it, Javier Alonso, deklaroi: “Vajzat u panë për herë të fundit duke hipur në një automjet me dëshirë, duke menduar se po shkonin në një event. Në fakt, ato ranë në kurthin e një bande ndërkombëtare të trafikut të drogës, që kishte planifikuar me imtësi eliminimin e tyre”
Sipas autoriteteve, urdhri për vrasjen dyshohet të jetë dhënë nga një shtetas peruan, udhëheqës i grupit kriminal, i cili besohet se është larguar nga vendi menjëherë pas ngjarjes. Deri tani, katër persona janë arrestuar, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të identifikuar të gjithë të përfshirët dhe për të çmontuar rrjetin kriminal.
Ngjarja ka shkaktuar një valë reagimesh në Argjentinë dhe më gjerë, me thirrje të forta për drejtësi dhe masa të ashpra kundër grupeve të trafikut të drogës. m.p.
