Nga Leonard Veizi
Thuhet se ka kompozitorë që shkruajnë muzikë, ashtu siç ka ca të tjerë që shkruajnë fatin e njeriut përmes tingullit. Ludvig van Bethovën (Ludwig van Beethoven) i përket kësaj kategorie unike. Muzika e tij nuk është vetëm art, por një përvojë morale: revoltë, lutje dhe shpresë. Ajo lind nga dhimbja dhe synon lirinë, vjen nga errësira dhe kërkon dritën. Në çdo simfoni, sonatë apo kuartet, Bethovën nuk flet vetëm për tingujt – ai flet për dinjitetin e njeriut dhe të drejtën për të mos u dorëzuar…
…Ai ishte kompozitor që shërbeu si urë lidhëse mes Epokës Klasike dhe Romantizmit. Ludvig van Bethovën lindi në Bon të Gjermanisë më 1770 dhe vdiq më 26 mars 1827 në Vjenë, Austri. Jeta e tij ishte një përballje e vazhdueshme mes gjenialitetit dhe vuajtjes, por pikërisht nga ky konflikt u farkëtua madhështia e tij artistike.
Talent i hershëm
Data e saktë e lindjes së Bethovënit nuk dihet, por dokumentet tregojnë se ai u pagëzua më 17 dhjetor 1770. Mbiemri Bethovën ka prejardhje holandeze, me parashtesën “van” (“nga”) që tregon origjinën gjeografike të familjes.
Hapat e parë në muzikë Ludvig i hodhi nën drejtimin e babait të tij, Johan, një muzikant i talentuar, por fatkeqësisht i varur nga alkooli. Mësimet shpesh shoqëroheshin me ashpërsi dhe dhunë të tepruar, pasi babai kërkonte me çdo kusht ta shndërronte të birin në një “Mozart të ri”. Megjithatë, talenti i vërtetë i Bethovënit shpërtheu herët: në moshën shtatëvjeçare ai ishte tashmë në gjendje të interpretonte publikisht.
Në vitin 1779, ai u bë nxënës i Krishtian Gotlob Nefë (Christian Gottlob Neefe), i cili e ndihmoi të zhvillonte kompozimin dhe mendimin muzikor. Së shpejti, Bethovën filloi të punonte si asistent organist.

Formimi në Vjenë
Në vitin 1787, ai udhëtoi drejt Vjenës me shpresën për të studiuar me Mozartin. Megjithëse nuk është plotësisht e dokumentuar, legjenda thotë se Mozart mbeti i impresionuar nga interpretimi i tij. Fatkeqësisht, qëndrimi i tij në Vjenë u ndërpre shpejt: sëmundja e rëndë dhe vdekja e nënës e detyruan të kthehej në Bon. Me babanë e zhytur thellë në alkoolizëm, Bethovën mori përgjegjësinë si kryefamiljar për dy vëllezërit e tij më të vegjël, duke kaluar pesë vite sfiduese.
Në vitin 1792, falë mbështetjes së aristokracisë, Bethovën u kthye përfundimisht në Vjenë – kryeqytetin muzikor të Europës. Aty ai iu përkushtua studimit të pianos dhe kompozimit, duke u bërë nxënës i Jozef Hajdn-it (Joseph Haydn). Paraqitja e tij e parë e rëndësishme publike ndodhi në vitin 1795, duke shënuar hyrjen e tij zyrtare në jetën muzikore vjeneze.
Tragjedia dhe triumfi artistik
Rreth vitit 1801, filloi tragjedia e tij personale: Bethovën nisi të humbiste dëgjimin. Problemet shëndetësore u përkeqësuan gradualisht, duke e izoluar atë nga bota e tingujve që ai krijonte. Kjo ishte një fatkeqësi e paimagjinueshme për një muzikant.
Në fund të vitit 1802, pothuajse i shurdhër, Bethovën ra në një krizë të thellë shpirtërore. Në Heiligenstadt, ai hartoi të ashtuquajturin Testamenti i Heiligenstadt-it – një letër-rrëfim ku shpreh dhimbjen e tij, por merr edhe vendimin heroik: të jetojë përmes artit, pavarësisht fatit tragjik. Pas kësaj periudhe, ai e ndërpreu performimin publik si pianist.
Megjithatë, pikërisht në këtë periudhë lindi Periudha e Mesme e tij – koha e veprave më të mëdha. Në vitin 1803 ai shpalli këtë ambicie: “Nuk jam i kënaqur me punën time deri tani; duhet të ndjek një rrugë të re.” Kjo rrugë filloi me Simfoninë nr. 3 “Eroica”, një vepër monumentale që theu të gjitha normat e kohës dhe shënoi një kthesë historike në muzikë.
Në vitet që pasuan, ai kompozoi simfonitë nga e treta deri në të tetën, sonatat e famshme për piano si Waldstein dhe Appassionata, operën Fidelio dhe dhjetëra vepra të tjera madhore. Në vitin 1810, shkrimtari E.T.A. Hofman (Hoffmann) e renditi Bethovënin mes tre kompozitorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Në vitet e fundit të jetës, duke thelluar studimin e Bahut (Bach) dhe Hëndelit (Händel), Bethovën shkroi Simfoninë e Nëntë – një kulm artistik dhe filozofik. Për herë të parë në historinë e simfonisë, zëri njerëzor u bashkua me orkestrën, duke shpallur “Ode për Gëzimin” si një himn universal të vëllazërisë dhe humanizmit.
Bethovën vdiq i varfër më 1827. Por trashëgimia e tij mbeti e pavdekshme.
Humanizmi i tingullit
Muzika e Bethovënit është një manifest i fuqishëm humanist. Ajo pasqyron idealet e ndritura të iluminizmit dhe frymën e kohës së tij: lirinë, drejtësinë dhe dinjitetin e individit. Ajo lindi në një epokë të mbushur me luftëra dhe revolucione, por edhe me lindjen e një mendimi të ri mbi shoqërinë dhe vendin e njeriut në të.
Siç ka shprehur dirigjenti i njohur Kent Nagano, muzika e tij komunikon idealin e një bote më të mirë dhe më humane. Ajo shpreh tensionin mes individit dhe shoqërisë, mes dhimbjes personale dhe përgjegjësisë kolektive. Ajo feston vlerat e reja të shoqërisë borgjeze, duke mbajtur në disa raste edhe një përmbajtje të qartë politike.
Ludvig van Bethovën nuk shkroi vetëm nota; ai shkroi historinë morale të njeriut modern. Dhe për këtë arsye, muzika e tij vazhdon të dëgjohet jo vetëm me veshë, por me ndërgjegje dhe frymë.
