Last Updated on 05/11/2025 by Kesjana
Nga Tirana drejt botës, hapet Edicioni i 31-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës – “Windows into the Future”
Me një ceremoni solemne dhe atmosferë festive, u çel sot në Pallatin e Kongreseve Edicioni i 31-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga Klik Ekspo Group, nën moton “Windows into the Future”. Ky edicion, që do të qëndrojë i hapur deri më 8 nëntor, ka bashkuar 250 kompani vendase e të huaja, institucione publike, investitorë dhe profesionistë nga mbi 20 vende, duke e kthyer Tiranën në qendrën e bashkëpunimit ekonomik rajonal.
Në fjalën e tij të mirëseardhjes, menaxheri i përgjithshëm i Klik Ekspo Group, Luel Muhametaj, theksoi se ky panair është më shumë se një ngjarje tregtare – është një urë besimi që prej 31 vitesh ka hapur dyert e Shqipërisë ndaj botës dhe të botës ndaj Shqipërisë. “Ky edicion është një pikë kthese. ‘Shqipëria 2030’ është një vizion që bashkon energjinë, inovacionin, bujqësinë dhe kulturën në një dialog të gjallë midis traditës dhe teknologjisë,” u shpreh Muhametaj.
E pranishme në hapje, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vlerësoi Klik Ekspo Group për rolin e tij në pasqyrimin e transformimit ekonomik të vendit. “Ky nuk është më një panair i thjeshtë, por një prezantim i vizionit ‘Shqipëria 2030’. Sot kemi një vend me potenciale të mëdha dhe një klimë biznesi atraktive që tërheq investitorë në fusha strategjike si turizmi, energjia dhe inovacioni,” theksoi ministrja.
Pjesë qendrore e këtij edicioni është pavijoni “Windows into the Future”, një instalim konceptual që simbolizon hapjen dhe vizionin përpara, duke përfshirë sektorë kyç si infrastruktura, energjia, arsimi dhe inovacioni. Drejtoresha e AIDA-s, Laura Saro, e përshkroi këtë koncept si “një ftesë për të ndërtuar të ardhmen me ide, kreativitet dhe bashkëpunim”.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, ambasadorë dhe sipërmarrës të njohur, ndërsa mbrëmja u pasurua me performanca artistike nga sopranoja Eva Golemi dhe pianistja Etrita Ibrahimi.
Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, që prej themelimit në vitin 1994, mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme ekonomike të vendit, duke promovuar ekonominë shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe duke forcuar rolin e Tiranës si qendër rajonale për inovacion dhe bashkëpunim ekonomik./kb

