Nga Nesrine Malik
Ekziston një prirje për t’i parë fuqitë e Gjirit si të pandryshueshme dhe statike. Në fund të fundit, ato janë të mbrojtura nga pasuri të mëdha dhe nga sundimi absolut monarkik, si edhe të siguruara përmes marrëdhënieve të thella ekonomike dhe ushtarake me Shtetet e Bashkuara.
Por java e fundit e sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraeli ndaj Iranit, si dhe kundërpërgjigjet iraniane, kanë nxjerrë në pah jo vetëm atë që eksportojnë këto vende (naftë dhe gaz), por edhe atë që importojnë (kapital të lirë nga shmangësit e taksave dhe fuqi punëtore emigrante).
Megjithatë, përtej shqetësimeve për furnizimin me energji të ekonomisë globale apo ironive të lehta ndaj influencerëve që bëjnë foto në zona lufte, duhet të kujtojmë se konflikti aktual do të ketë pasoja të thella për të gjithë rajonin. Kjo nuk është vetëm një çështje mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit; është një sistem politik i ndërlikuar në Lindjen e Mesme, shumë më i brishtë nga sa duket.
Fuqitë e Gjirit në transformim
Mes gjithë ndryshimeve që ka kaluar rajoni vitet e fundit, evolucioni i heshtur i tre vendeve të Gjirit ka qenë ndër më domethënësit: Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Këto vende kanë bërë ndryshime të shpejta që kanë ndikuar në zhvillimet politike nga Libia deri në Palestinë. Sulmet e 7 tetorit – që shumë analistë i konsiderojnë si fillimin e zinxhirit të ngjarjeve që sollën këtë moment – u frymëzuan pjesërisht nga dëshira e lëvizjes Hamas për të ndalur procesin e normalizimit që Arabia Saudite po zhvillonte me Izraelin.
Ky proces kishte ardhur pasi Emiratet e Bashkuara Arabe dhe disa vende të tjera nënshkruan në vitin 2020 të ashtuquajturat Abraham Accords me Izraelin.
Të tre vendet e Gjirit kanë ndjekur në mënyra të ndryshme – dhe shpesh në konkurrencë me njëri-tjetrin – agjenda ambicioze rajonale dhe globale. Por pavarësisht sundimit të gjatë familjar që sugjeron stabilitet, ato janë më të brishta nga sa duken.
Transformimi i Arabisë Saudite
Në planin e brendshëm, Arabia Saudite ka nisur një proces liberalizimi që po përmbys shumë norma sociale dhe fetare të dekadave të fundit.
Vetëm pak vite më parë, vendi u përball me kërcënimin e izolimit ndërkombëtar nga presidenti amerikan Joe Biden pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi. Po ashtu, bombardimet saudite në Jemen sollën thirrje ndërkombëtare për embargo armësh.
Megjithatë, princi i kurorës Mohammed bin Salman e ka transformuar vendin në një hapësirë ku organizohen festivale muzikore në natyrë, sfilata mode dhe evente të mëdha sportive.
Një shtet që dikur e ndërtonte prestigjin mbi primatin fetar sunit – si vendi ku ndodhet qyteti i shenjtë i Meka – tani po përpiqet të arrijë ritmin e Katarit dhe Emirateve, të cilat kanë investuar shumë për t’u kthyer në qendra globale të financës, konsumit dhe argëtimit.
Një model stabiliteti që po lëkundet
Strategjia e këtyre tre vendeve është ndërtuar mbi tërheqjen e investitorëve dhe vizitorëve ndërkombëtarë. Dhe kjo kërkon një gjë thelbësore: mungesën e luftës.
Fuqitë e Gjirit janë përpjekur të neutralizojnë sa më shumë gjeopolitikën: të mos provokojnë Iranin, të mos antagonizojnë Izraelin dhe të mbajnë SHBA-në pranë si garant të sigurisë.
Por brenda pak më shumë se një jave – sidomos pas një vale të re sulmesh me raketa dhe dronë iranianë ndaj Emirateve dhe Arabisë Saudite – ky model është tronditur rëndë.
Ambiciet e Emirateve
Gjatë dekadës së fundit, Emiratet e Bashkuara Arabe janë përfshirë në projekte të mëdha dhe shpesh të përgjakshme për të ndërtuar ndikim rajonal, duke financuar forca dhe konflikte në Jemen, Libi dhe Sudan.
Kjo strategji ka krijuar madje tensione edhe me Arabinë Saudite, veçanërisht për avancimin e forcave të mbështetura nga Emiratet në Jemen.
Në procesin e normalizimit me Izraelin, Emiratet kanë ndjekur një linjë të vendosur, duke u bërë fuqia më e rëndësishme e Gjirit që nënshkroi marrëveshjet e Abrahamit. Në këtë mënyrë ato treguan se nuk janë të gatshme të kushtëzojnë marrëdhëniet me Izraelin me krijimin e një shteti palestinez.
Në thelb, Emiratet janë një shtet thellësisht pragmatik, që ka përqafuar një rend të ri botëror ku dominojnë fuqia dhe kapitali, pa bagazhin fetar dhe kulturor që rëndon mbi Arabinë Saudite.
Katari mes ekuilibrave të rrezikshëm
Në mes të kësaj tresheje ndodhet Katari, një vend që ecën në një vijë shumë të hollë.
Në vitin 2017, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe vendosën një bllokadë të plotë ndaj Katarit që zgjati për vite. Që atëherë, Doha është përpjekur të balancojë disa interesa të kundërta:
-
mbështetjen për çështjen palestineze duke strehuar zyrtarë të Hamasit dhe duke dërguar ndihma në Gaza;
-
praninë e bazës më të madhe ushtarake amerikane në rajon;
-
dhe bashkëpunimin me Iranin për fushat e përbashkëta të gazit në Gjirin Persik.
Të gjitha këto vende ndodhen sot në momente të rëndësishme politike dhe në konkurrencë të fortë me njëra-tjetrën.
Mbyllja e hapësirave ajrore, ndalimi i prodhimit të gazit të lëngshëm dhe ndoshta edhe i naftës, frika nga raketat dhe dronët – këto nuk janë zhvillime që mund të kalohen thjesht duke pritur derisa lufta të përfundojë.
Edhe pse këto shtete nuk janë drejtpërdrejt në front, ato gjithashtu janë në luftë.
Pasojat e paparashikueshme
Një pjesë e kostos mund të përballohet nga fondet sovrane të pasurisë që këto vende zotërojnë. Por më e vështirë është ndjenja e pasigurisë që tani mbizotëron në Gjirin Persik.
Së pari, është pyetja e kohëzgjatjes: sa ditë, javë apo muaj mund ta përballojë rajoni këtë situatë, kur edhe furnizimi me ujë të pijshëm – që varet nga impiantet e desalinizimit shumë energjivore – mund të rrezikohet?
Së dyti, lufta ka bërë të qartë se shtetet e Gjirit janë bërë, në mënyrë aktive apo pasive, pjesë e agjendës së SHBA-së dhe Izraelit për dominim në Lindjen e Mesme. Sa më gjatë të zgjasë kjo, aq më e vështirë do të jetë për udhëheqësit e tyre të ruajnë idenë e sovranitetit dhe kontrollit.
Një rajon që mund të dalë i transformuar
Rajoni ndodhet tashmë në një zonë pasojash të paparashikuara. Goditjet ekonomike mund t’i shtyjnë Emiratet të intensifikojnë ndërhyrjet në vendet afrikane për të siguruar burime të reja lëndësh të para. Mund të lindin përçarje të mëdha mes vendeve të Gjirit për shkallën e mbështetjes ndaj ambicieve amerikano-izraelite. Dhe ekziston gjithmonë rreziku i përhapjes së krizës nga një Iran i destabilizuar.
Në thelb, ajo që po ndodh është një rrjedhje e madhe e kapitalit politik dhe ekonomik që vendet e Gjirit kanë grumbulluar për dekada.
Po, pasojat ekonomike globale do të jenë të mëdha. Por këto vende nuk janë vetëm furnizues energjie. Ato janë shoqëri me popullsi reale, që nuk mund të reduktohen në karikaturën e vendeve të pasura që tërheqin botën me para dhe energji.
Siç shkruante dikur mendimtari Edward Said:
“Gjithmonë fshihet supozimi se konsumatori perëndimor, edhe pse është pakicë numerike, ka të drejtë të zotërojë ose të shpenzojë shumicën e burimeve të botës. Pse? Sepse ai, ndryshe nga orientalët, konsiderohet një qenie e vërtetë njerëzore.”
Shumë nga qasjet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Lindjes së Mesme janë ndërtuar pikërisht mbi këtë ide: se njerëzit që jetojnë dhe qeverisin këtë rajon – madje edhe aleatët – nuk trajtohen si aktorë të barabartë.
Kur lufta të përfundojë dhe udhëheqës si Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu të kalojnë në krizën e radhës, rajoni mund të zgjohet me një hartë të re politike, me armiqësi të reja dhe me pasoja sigurie që popujt e tij do t’i përballojnë për breza të tërë.
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
