Last Updated on 19/04/2026 by Monika
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka deklaruar se është i gatshëm të zhvillojë një takim me presidentin amerikan Donald Trump, por vetëm pasi të arrihet një marrëveshje e gjerë mes dy vendeve.
Në një intervistë për median ruse, Lukashenko theksoi se një takim i tillë nuk është qëllim në vetvete, por duhet të jetë rezultat i një procesi të mirëpërgatitur që reflekton interesat si të Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe të Bjellorusisë.
Ai u shpreh se është i hapur për një marrëveshje të madhe, duke nënvizuar se ajo duhet të shkojë përtej çështjeve të sanksioneve, pasi sipas tij, vendi është përshtatur tashmë me masat ndëshkuese të Perëndimit.
Lukashenko shtoi se ka çështje më të rëndësishme për t’u zgjidhur mes dy vendeve, pa dhënë detaje konkrete, ndërsa theksoi se pas finalizimit të negociatave në nivele më të ulëta, ai është i gatshëm të takohet me Trump dhe të firmosë marrëveshjen.
Presidenti bjellorus konsiderohet një aleat i ngushtë i Vladimir Putin dhe ka mbështetur Rusinë në luftën në Ukrainë, edhe pse pa përfshirë drejtpërdrejt trupat bjelloruse në konflikt.
Një vizitë e mundshme e Lukashenkos në Shtetet e Bashkuara do të shënonte një zhvillim të rëndësishëm diplomatik, duke marrë parasysh izolimin ndërkombëtar të tij për shkak të akuzave për shkelje të të drejtave të njeriut dhe mbështetjen ndaj Moskës./mxh
