Nga 14 janari 2026, vizitorët nga vendet jashtë Europës do të paguajnë 45% më shumë për të hyrë në Muzeun e Luvrit, në kuadër të një plani modernizimi të shpallur nga Ministria franceze e Kulturës më 27 nëntor.
Çmimi i biletës për të parë kryevepra si Mona Lisa e Leonardo da Vinçit apo Venusin e Milos do të rritet nga 22 euro në 32 euro për vizitorët jashtë Hapësirës Ekonomike Europiane. Ndërkohë, tarifa për banorët e Francës dhe shteteve të EEA-së mbetet e pandryshuar.
Luvri, i cili mirëpriti miliona vizitorë vitin e kaluar, thotë se rritja e çmimit është thelbësore për të financuar punimet afatgjata të restaurimit dhe përmirësimin e përvojës së vizitorëve. Rritje të ngjashme priten edhe në monumente të tjera të njohura, mes tyre Kështjella e Versajës dhe Opera Garnier në Paris.
Në vitin 2024, amerikanët përbënin 13% të vizitorëve të Luvrit, kinezët 6% dhe britanikët 5%—të gjithë do të preken nga tarifa e re.
Njoftimi vjen pak javë pas një grabitjeje të guximshme në mes të ditës, gjatë së cilës katër hajdutë vodhën bizhuteri me vlerë 102 milionë dollarë. Policia arrestoi këtë javë një të dyshuar të katërt, por bizhuteritë ende nuk janë gjetur, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e muzeut më të vizituar në botë.
Reagimet e vizitorëve para piramidës së xhamit të Luvrit ishin të përziera.
Simon Telfer, një turist britanik nga Newcastle, u shpreh: “Mendoj se çmimi duhet të rritet për të gjithë në mënyrë të barabartë. E mbështes rritjen e tarifave për ruajtjen e ndërtesave, por duhet të jetë e drejtë.”
Një turiste amerikane që nuk dëshiroi të identifikohej tha shkurt: “Në një mënyrë ose tjetër, ata duhet të sigurojnë fonde. Pra, po.”
Ndërsa Harold Townson, 48 vjeç nga Guatemala, u shpreh: “Çmimi aktual prej 22 eurosh është i drejtë. Nëse shkon në 30 ose 32 euro për mirëmbajtje, më duket i arsyeshëm.”
Rritja e çmimeve në Luvër vjen në një periudhë kur Franca po investon fuqishëm në trashëgiminë e saj kulturore, me rritje tarifash të paralajmëruara edhe për Versailles-in dhe Operan Garnier për vizitorët jashtë Europës./mxh
