Amanda Lear është shprehur kundër Miley Cyrus, duke e akuzuar këngëtaren amerikane se i ka kopjuar një prej këngëve të saj. Këngëtarja franceze publikoi një mesazh me tone ironike në rrjetet sociale, pas publikimit të këngës së re të yllit të popit.
Sipas artistes 87-vjeçare, bëhet fjalë për një kopjim të këngës së saj të suksesshme të vitit 1978.
Në albumin e ri të këngëtares amerikane, “Bass Persuades”, i cili u publikua të premten e kaluar, Amanda Lear pretendon se melodia e këngës “Redlights” ka ngjashmëri të dukshme me këngën “The Sphinx”, të cilën ajo e kishte interpretuar në vitin 1978.
“Faleminderit, Miley, që kopjove këngën time ‘The Sphinx’! Ndihem e komplimentuar!”, shkroi ajo në llogarinë e saj në Instagram.
Në vijim, në një deklaratë për Agjencinë France-Presse, Lear sqaroi se nuk ishte ajo që kishte kërkuar të ndërmerrte një proces gjyqësor.
“Unë nuk kam qenë kurrë tip që kërkon të hapë procese gjyqësore, por kompania diskografike Universal dhe autorët e këngës, tekstshkruese e së cilës jam unë, duan që ajo të pranojë plagjiaturën.
Unë thjesht vura në dukje situatën, duke falënderuar Miley Cyrus dhe duke shtuar se u ndjeva e komplimentuar. Nuk e kam kërcënuar kurrë me padi apo me hakmarrje”, pranoi ajo, duke sqaruar se për këtë çështje ishte informuar fillimisht nga fansat e saj.
Deri më tani, as Miley Cyrus dhe as përfaqësuesit e saj nuk i janë përgjigjur Amanda Lear apo kompanisë së saj diskografike lidhur me këto pretendime./mxh
