Reperi i njohur amerikan Macklemore ka marrë vendimin të dhurojë të gjithë fitimin e tij neto prej 1 milion dollarësh, të realizuar gjatë pjesëmarrjes si artist mbështetës në turneun e këngëtarit britanik Ed Sheeran, për të ndihmuar popullsinë civile në Gaza.
Paratë do t’u shpërndahen gjashtë organizatave të ndryshme humanitare që veprojnë në terren, ku përfshihen Palestine Children’s Relief Fund, Heal Palestine, Gaza Soup Kitchen, Medical Aid for Palestinians, UNRUA USA National Committee dhe Anera, me synim sigurimin e ushqimit, kujdesit mjekësor dhe ndihmës emergjente për fëmijët dhe familjet e prekura nga kriza.
Ky vendim ka sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale dhe ka pasur efekte të drejtpërdrejta edhe në imazhin publik të vetë Ed Sheeran.
Sipas të dhënave të publikuara, këngëtari britanik ka humbur rreth 150 mijë ndjekës në profilin e tij në Instagram brenda një dite të vetme.
Ndërkohë, ndikimi ka kaluar edhe në media, ku transmetuesi irlandez “Classic Hits Radio”, pjesë e grupit Bay Broadcasting, ka njoftuar zyrtarisht se do të ndalojë transmetimin e të gjitha këngëve të Ed Sheeran në valët e saj për një periudhë të pacaktuar./mxh
