Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri indian Narendra Modi u takuan këtë të diel në qytetin e Nicës, ku inauguruan aktivitetin “Bharat Innovates 26”, i cilësuar si eventi më i madh i teknologjisë së avancuar indiane i organizuar jashtë territorit të Indisë.
Dy liderët u përshëndetën ngrohtësisht përpara ceremonisë së hapjes, ndërsa në fjalën e tij Macron vlerësoi potencialin inovativ të Indisë dhe rolin e saj gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin teknologjik global.
Presidenti francez theksoi se India gëzon një avantazh të madh demografik me mbi 1.4 miliardë banorë dhe një traditë të gjatë investimesh në arsim, kërkim shkencor dhe teknologji. Sipas tij, vendi diplomon më shumë se një milion inxhinierë çdo vit dhe renditet ndër qendrat kryesore të inovacionit në botë.
Nga ana e tij, kryeministri Narendra Modi falënderoi Macron për mbështetjen dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve për përballimin e sfidave globale të shekullit XXI.
Pas aktivitetit në Nicë, Macron dhe Modi udhëtuan drejt qytetit bregdetar Beaulieu-sur-Mer, ku vizituan Villa Kerylos me pamje nga Deti Mesdhe. Më pas, dy liderët zhvilluan një takim me ministrat dhe delegacionet përkatëse për të diskutuar forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik.
Franca dhe India kanë zgjeruar ndjeshëm marrëdhëniet e tyre gjatë viteve të fundit, veçanërisht në fushat e mbrojtjes, teknologjisë, hapësirës dhe inovacionit. Të dy vendet synojnë të thellojnë bashkëpunimin strategjik në një periudhë kur teknologjia dhe siguria po marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe në arenën ndërkombëtare./mxh
