Presidenti i Somalilandit, Abdirahman Mohamed Abdullahi, u takua këtë të diel në Jerusalem me presidentin izraelit Isaac Herzog, duke shënuar nisjen e vizitës së tij të parë zyrtare shtetërore në Izrael.
Pas nënshkrimit të librit të nderit në rezidencën presidenciale, dy liderët mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjatë fjalës së tij, Abdullahi falënderoi autoritetet izraelite për mikpritjen dhe përcolli, siç u shpreh ai, përshëndetjet dhe mirënjohjen e gjashtë milionë banorëve të Somalilandit.
Vizita e presidentit të Somalilandit pritet të zgjasë të paktën tre ditë. Gjatë qëndrimit në Izrael, ai do të zhvillojë takime me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe drejtues të tjerë të shtetit hebre, do të vizitojë parlamentin izraelit, Knessetin, si dhe pritet të marrë pjesë në hapjen e ambasadës së Somalilandit në Jerusalem.
Në muajin maj, Somaliland njoftoi se do të hapte një ambasadë në Jerusalem, pasi Izraeli u bë vendi i parë që njohu zyrtarisht republikën e vetëshpallur si shtet të pavarur dhe sovran.
Njohja e Somalilandit nga Izraeli, e bërë në fund të vitit të kaluar, u kundërshtua ashpër nga Somalia, e cila e cilësoi vendimin si një sulm të qëllimshëm ndaj sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.
Çështja e Jerusalemit mbetet një nga temat më të ndjeshme në politikën ndërkombëtare. Ndërsa Izraeli e konsideron të gjithë Jerusalemin si kryeqytetin e tij, palestinezët kërkojnë që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të ardhshëm palestinez, që do të përfshinte Bregun Perëndimor dhe Gazën.
Aktualisht, shumica e vendeve i mbajnë ambasadat e tyre në Tel Aviv, megjithëse Shtetet e Bashkuara e zhvendosën ambasadën në Jerusalem gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump. Edhe disa vende të tjera, si Fixhi dhe Papua Guinea e Re, kanë vendosur përfaqësi diplomatike në qytet./mxh
