Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka shprehur mbështetjen e tij të qartë për Groenlandën dhe sovranitetin e saj, gjatë një takimi në Paris me kryeministrin e Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, dhe kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen.
Macron u përpoq të fliste në gjuhën groenlandeze dhe daneze, duke theksuar se e ardhmja e Groenlandës u përket vetëm banorëve të saj.
“Groenlanda nuk është për t’u shitur dhe as për t’u marrë. Groenlandezët do të vendosin vetë për të ardhmen e tyre,” deklaroi Macron në groenlandisht, sipas përkthimit zyrtar.
Më pas, duke kaluar në danisht, ai shtoi se Franca do të vazhdojë të qëndrojë e bashkuar me Mbretërinë e Danimarkës.
Takimi u zhvillua në një moment tensionesh, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka shprehur interes për marrjen nën kontroll të ishullit arktik, territor danez prej shekujsh.
Presidenti francez theksoi gjithashtu se Franca ndan të njëjtin qëndrim me Danimarkën për nevojën e forcimit të mbrojtjes dhe sigurisë në rajonin e Arktikut, një zonë gjithnjë e më strategjike në skenën ndërkombëtare./mxh
