Presidenti francez Emmanuel Macron dënoi aktet e dhunës dhe shkatërrimet gjatë protestave të zhvilluara dje në disa qytete të Francës, duke paralajmëruar se personat përgjegjës do të ndiqen penalisht.
“Nuk ka vend për dhunën në Republikën tonë”, deklaroi Macron në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë.
“Personat që kanë kryer akte vandalizmi, kanë sulmuar institucionet administrative apo bizneset, si dhe ata që kanë marrë pjesë në plaçkitje, madje edhe në bashkitë tona, do të ndiqen penalisht dhe do të ndëshkohen”, shkroi presidenti francez.
Protestat u zhvilluan në një klimë pakënaqësie për rritjen e kostos së jetesës dhe përkeqësimin e shërbimeve publike, ndërsa lëvizjes iu bashkuan edhe studentë që kundërshtojnë kushtet e vështira në shkolla dhe mungesën e mësuesve.
Megjithëse shumë prej demonstratave nisën në mënyrë paqësore, në disa qytete situata u përshkallëzua në përplasje me policinë, djegie ndërtesash dhe plaçkitje dyqanesh.
Në Limoges, persona të maskuar hynë në bashkinë historike dhe i vunë flakën ndërtesës, duke shkaktuar dëme të rënda.
Në Lion u dogj një zyrë turistike, ndërsa në Marsejë dhe Lilë protestuesit hynë në ndërtesat e bashkive dhe shkaktuan dëme.
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, rreth 550 mijë persona morën pjesë në protestat në mbarë vendin, ndërsa sindikata CGT pretendoi se numri i pjesëmarrësve arriti në 800 mijë.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu dënoi gjithashtu dhunën, të cilën e cilësoi si jashtëzakonisht të rëndë.
Autoritetet raportuan qindra arrestime dhe dhjetëra pjesëtarë të forcave të sigurisë të plagosur.
Protestat vijnë në një periudhë tensionesh të shtuara politike në Francë, rreth gjashtë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale të planifikuara për vitin 2027./mxh
