Last Updated on 23/08/2026 by Kesjana
**
Presidenti francez Emmanuel Macron pret këtë të diel në Paris princin e kurorës dhe udhëheqësin de facto të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, në një vizitë dyditore që pritet të fokusohet te bashkëpunimi ekonomik, mbrojtja, energjia, por edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Vizita nis në mënyrë të pazakontë, me pjesëmarrjen e dy liderëve në ceremoninë përmbyllëse të Kampionatit Botëror të e-sporteve, që po zhvillohet në Paris për herë të parë jashtë Arabisë Saudite.
Të hënën, Macron dhe Mohammed bin Salman, i njohur si “MBS”, pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje në fushat e shëndetësisë, transportit dhe energjisë. Dy liderët do të zhvillojnë gjithashtu takimin e parë të Këshillit Strategjik të Partneritetit Francë-Arabi Saudite.
Në axhendë do të jenë edhe çështjet kryesore rajonale dhe situata në Lindjen e Afërt dhe të Mesme. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse të drejtat e njeriut do të zënë një vend të rëndësishëm në diskutime.
Mohammed bin Salman u izolua për një periudhë të gjatë në arenën ndërkombëtare pas vrasjes së gazetarit dhe disidentit saudit Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll në vitin 2018. Një hetim i OKB-së e cilësoi vdekjen e tij një “ekzekutim jashtëgjyqësor”, ndërsa shërbimet amerikane të inteligjencës thanë se MBS kishte miratuar operacionin që çoi në vrasjen e gazetarit. Riadi i ka mohuar këto akuza.
Megjithatë, në vitet e fundit, princi saudit ka rifituar gradualisht statusin e një partneri strategjik për Perëndimin. Rëndësia ekonomike dhe roli kyç i Arabisë Saudite në tregun global të naftës kanë ndikuar në forcimin e marrëdhënieve me Francën dhe vendet e tjera evropiane.
Arabia Saudite po përgatitet gjithashtu për organizimin e disa prej eventeve më të mëdha globale, përfshirë Expo 2030 dhe Kampionatin Botëror të Futbollit në vitin 2034./FC
