Në Asamblenë Rajonale të Madridit është ndezur një debat i fortë politik dhe historik mes përfaqësuesve të së majtës dhe udhëheqjes së rajonit, pas deklaratave të presidentes së komunitetit, Isabel Díaz Ayuso, mbi periudhën e kolonizimit spanjoll në Meksikë.
Gjatë seancës, zëdhënësja e partisë Más Madrid, Manuela Bergerot, e akuzoi Ayuso-n për, siç tha ajo, “poshtërim të meksikanëve” dhe për mbrojtje të figurës së konkuistadorit Hernán Cortés, të cilin e përshkroi si përgjegjës për vrasjen e paraardhësve të popullsisë meksikane.
Nga ana tjetër, Ayuso deklaroi se Meksika “nuk do të ekzistonte pa pushtimin spanjoll” dhe mbrojti qëndrimin e saj historik, duke përmendur gjithashtu gërmimet arkeologjike në Qytetin e Meksikos dhe duke vënë në pikëpyetje mënyrën si interpretohet historia e periudhës para-hispanike.
Deklaratat e saj shkaktuan reagime të ashpra si në Meksikë ashtu edhe në Spanjë, duke nxitur protesta dhe polemika të gjera politike.
Në debat u përfshi edhe zëdhënësi i Partisë Socialiste PSOE, Mar Espinar, i cili theksoi se Madridi “nuk përfaqësohet nga politika agresive e Ayuso-s” dhe se Spanja duhet të shprehë mirënjohje për Meksikën për ndihmën e dhënë spanjollëve pas Luftës Civile dhe periudhës së Frankos.
Debati ka rikthyer në qendër të vëmendjes marrëdhëniet historike mes Spanjës dhe Meksikës, duke thelluar ndarjet politike brenda institucioneve të Madridit./mxh
