Walt Disney ka sjellë në ‘jetë’ një nga personazhet më të dashura përmes Inteligjencës Artificiale.
Olaf, njeriu i famshëm i dëborës nga filmat e “Frozen” tashmë mund të flasë vërtet.
Roboti mund të imitojë veçoritë, sjelljet dhe lëvizjet e personazhit vizatimor. Në video shihet Olaf që mund të ecë vetë, të kuptojë komandat dhe të ndërveprojë me të tjerët.
Në parqet e Disney ka personazhe të tjerë animatronikë si disa të Star Wars. Por këta robotë vetëm imitojnë dhe simulojnë lëvizjet e tyre në filma. Në rastin e Olaf, duket se ai është autonom.
“Për ta bërë Olaf sa më autentik të ishte e mundur, ekipi përdori një degë të inteligjencës artificiale të quajtur mësimi i përforcuar, duke shtyrë kufijtë e pajisjes për të arritur qëllimin krijues të artistëve”, tha Disney në një deklaratë.
Ekipi i robotikës së Disney gjendet në Zyrih të Zvicrës.
Olaf do të mund të takohet shumë shpejt me admiruesit e tij në Arendelle Bay Show në World of Frozen që do të hapet në Disneyland Paris në 2026.
Ai do të ketë edhe disa shfaqje speciale në Hong Kong Disneyland Resort./KM
