Biznesi i akulloreve i Unilever-it, që pritet të ndahet dhe të dalë në bursë më 8 dhjetor si Magnum Ice Cream Company, po përgatitet të funksionojë i pavarur, ka thënë shefi i zinxhirit të furnizimit për Reuters. Kompania po përballet me sfida që nga logjistika deri te ndikimi i rritjes së përdorimit të ilaçeve për humbje peshe GLP-1, të cilat kanë ndryshuar trendet e konsumatorëve, ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump po shtyn fushatën “Make America Healthy Again”.
Magnum po synon të mbështetet tek imazhi i saj si një biznes i dedikuar vetëm akullores dhe tek kërkesa e vazhdueshme për produkte “indulgjente” si Magnum, Solero, Viennetta dhe Ben & Jerry’s. Kompania ka nisur edhe opsione me më pak sheqer dhe porcione më të vogla për t’u përshtatur me tregun.
Magnum po investon fuqishëm në kapacitetet e saj, përfshi 50 milionë paund në fabrikën e Gloucester në Britani, pjesë e një programi prej 350–380 milionë eurosh për transformimin e zinxhirit të furnizimit. Ky investim pritet të rrisë kapacitetin e prodhimit në këtë fabrikë me 50% deri në vitin 2027.
Fokusimi ekskluziv te akullorja e ekspozon kompaninë ndaj luhatjeve të çmimeve të kakaos dhe sheqerit, por kontrolli i plotë i zinxhirit të furnizimit e lejon të menaxhojë më mirë rreziqet. Edhe pse kufizimet tregtare mund të sjellin kosto shtesë, Desai tha se prodhimi lokal në SHBA e ka mbrojtur Magnum-in nga ndikimi i tarifave amerikane, të cilat rezultuan shumë më të ulëta se sa ishte parashikuar fillimisht.
