Last Updated on 05/08/2025 by adminfjala
Çmimi i Madh i Hungarisë në Formula 1 nuk shkoi aspak mirë për kampionin në fuqi të botës, Maks Vershtapen. Piloti i Red Bullit nuk ishte në gjendje të luftonte për kreun, duke e mbyllur garën e të dielën në vendin e nëntë.
Pas këtij rezultati, piloti holandez pranoi se nuk ishte një fundjavë e mirë për ekipin, ndërsa theksoi se makina e tij kishte probleme me ekuilibrin, duke i munguar ritmi apo kontrolli. “Po shkonte mirë me shpejtësi të lartë, por nuk kishte kontroll në shpejtësi mesatare dhe të ulëta. Nuk ishte një fundjavë e mirë për ekipin dhe nuk ishim në gjendje të ndryshonim ritmin gjatë garës”, deklaroi Vershtapen.
Piloti holandez tha gjithashtu se strategjia me një ndalesë në bokse ishte një rrezik, veçanërisht me zgjedhjen e gomave që po shkonte keq. “Ka qenë një sezon i vështirë për ne. Shpresojmë që gjysma e dytë e sezonit të jetë më e mirë dhe që të marrim rezultate. E dimë që nuk po garojmë më për kampionatin, por do të përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë çdo fundjavë”, përfundoi Maks Vershtapen, i cili shkon me pushime në vendin e tretë dhe me diferencë të madhe nga dyshja e MekLarenit. m.p.
