Opozita ka kërkuar nga kryeparlamentari Niko Peleshi që në seancën për shqyrtimin e afateve të mandateve të Gjykatës Kushtetuese të ketë një përfaqësues të saj, sipas parashikimeve ligjore.
Në një shkresë dërguar Peleshit, grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkon akreditimin e ekspertit Marash Logu, ndërsa në seancë do të diskutohet për datën e fillimit dhe mbarimit të mandateve të gjyqtarëve të Kushtetueses.
Për shkak të rëndësisë dhe garantimit të transparencës, do të kërkohet që seanca të jetë publike dhe me praninë e medias. Seanca do të zhvillohet në 16 Tetor, bazuar në një kërkesë të Presidentit të Republikës, i cili ka kërkuar interpretimin e kohëzgjatjes së mandateve.
Referuar shkresës zyrtare, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike thotë se seanca për shqyrtimin e kërkesës së Presidentit të Republikës me objekt: “Deklarimi i mbarimit të mandatit të Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”, do të zhvillohet në datën 16.10.2025, ora 12:00.
“Në këto kushte, në vijim të shkresave të sipërcituara, si dhe me qëllim garantimin e një përfaqësimi sa më gjithëpërfshirës, ju informojmë se përfaqësuesi ynë në këtë gjykim kushtetues do të jetë zoti Marash Logu, këshilltar ligjor i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, vijon shkresa.
Sipas demokratëve, Kuvendi i Shqipërisë duhet të marrë sa më shpejt masa që juristi Marash Logu të pajiset sa më shpejt me autorizimin përkatës në mënyrë që të ushtrojë të gjitha të drejtat proceduriale në gjykimin kushtetues. m.p.
