Last Updated on 11/09/2026 by EL
Ilir Panda, gjyqtar i Gjykatës së Lartë që prej 11 marsit të 2020-ës, ka shprehur interes për të marrë drejtimin e këtij institucioni të drejtësisë. Ai aktualisht mban detyrën e zëvëndëskryetarit të Gjykatës së Lartë, post ky në të cilin është zgjedhur më 16 nëntor të 2023-shit, nga mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve.
Kujtojmë se gara për kryetarin e ri të Gjykatës së Lartë u hap në mesin e muajit gusht, pasi mandati 3-vjeçar i kryetarit aktual, Sokol Sadushi përfundon më 17 tetor. Teksa sot është edhe afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit nga kandidatët, ku sipas rregullores të drejtën për të kandiduar e kanë vetëm gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Pritet të shihet nëse deri në përfundim të ditës së sotme do të ketë edhe magjistratë të tjerë që do të shprehin interes për këtë pozicion.
Ai që do të zgjidhet si kreu i ri i Gjykatës së Lartë, pritet të nisë ushtrimin e detyrës më 18 tetor, një ditë pas lënies së detyrës nga kreu aktual Sokol Sadushi.
Kush është Ilir Panda?
Ilir Panda është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 1986, si edhe më tej ka kryer disa kualifikime pasuniversitare të organizuara nga institucionet shqiptare, evropiane por edhe të SHBA.
Karriera e tij është shtrirë në disa sektorë të drejtësisë, duke filluar nga organet e ndjekjes penale, në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrisë e Drejtësisë, më tej si avokat, si pedagog në Shkollën e Magjistraturës si edhe në të tjera insitucione të arsimit të lartë. Në vitet 1999-2000 ai shërbeu si Ministër Drejtësie, ndërsa më vonë në vitet 2003-2007, shërbeu si Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Për më tej ai ka marrë pjesë edhe si autor në shumë grupe punë për hartimin dhe rishikimin e legjislacionit, hartimin e komentarëve, buletineve, apo manuealëve. Si edhe në projekte të rëndësishme që i përkasin fushës së drejtësisë. Po ashtu Panda është autor i shumë artikujve në fushën e drejtësisë në disa revista profesionale e shkencore, si edhe i përkthimeve të ndryshme./et
