Last Updated on 09/06/2026 by EL
Leximi i një manga-je në letër dhe në tablet mund të duket i njëjtë, por për trurin tonë ndryshimi është më i madh nga sa mendohet. Një studim i ri japonez sugjeron se leximi në format fizik e ndihmon trurin të kuptojë dhe të organizojë më mirë rrjedhën e historisë. Sipas kërkimit, të publikuar në revistën shkencore PLOS One, faqet e shtypura mund të lehtësojnë përpunimin e informacionit narrativ, duke e bërë më të thjeshtë lidhjen mes ngjarjeve dhe personazheve.
Eksperimenti me mangat
Studiuesit, të udhëhequr nga neuroshkencëtari Kuniyoshi Sakai nga University of Tokyo, përfshinë 29 studentë në një eksperiment të veçantë. Pjesëmarrësit lexuan të njëjtën manga, e ndarë në dy pjesë, ku secila tregonte ngjarjet nga këndvështrimi i një personazhi të ndryshëm. Gjysma e studentëve e lexoi pjesën e parë në letër, ndërsa të tjerët në format digjital. Më pas, të gjithë lexuan pjesën e dytë gjatë një skanimi të trurit me rezonancë magnetike funksionale (fMRI), ndërsa iu përgjigjën pyetjeve mbi historinë. Edhe pse të gjithë pjesëmarrësit dhanë përgjigje po aq të sakta, ata që kishin lexuar pjesën e parë në tablet kishin nevojë për më shumë kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve më komplekse. Këto pyetje kërkonin lidhjen e informacionit nga të dyja pjesët e historisë dhe nga të dy këndvështrimet e personazheve. Skanimet e trurit treguan gjithashtu një ndryshim interesant: tek ata që kishin lexuar në letër, zonat e trurit të lidhura me gjuhën dhe përpunimin e rrëfimit ishin më pak aktive gjatë leximit të pjesës së dytë. Sipas studiuesve, kjo sugjeron se truri i tyre e kishte organizuar dhe përpunuar tashmë informacionin në mënyrë më efikase, duke kërkuar më pak përpjekje mendore më vonë.
Shkencëtarët nuk e kanë përcaktuar ende me siguri arsyen, por një shpjegim i mundshëm lidhet me përvojën fizike të leximit. Kur lexojmë një libër apo manga në letër, kemi referenca të prekshme dhe hapësinore: ndiejmë trashësinë e faqeve, kujtojmë afërsisht ku ndodhej një ngjarje në libër dhe mund të rikthehemi lehtësisht duke shfletuar. Këto elemente mungojnë në ekranet digjitale dhe mund të ndihmojnë trurin të krijojë një “hartë mendore” më të qartë të historisë. Megjithëse studimi u krye me manga, studiuesit besojnë se i njëjti efekt mund të vlejë edhe për romanet, tekstet shkollore dhe materiale të tjera të leximit. Gjetjet hapin rrugën për kërkime të reja mbi mënyrën se si mjedisi fizik ndikon në të nxënë, kujtesë dhe përqendrim. Ato mund të ndihmojnë gjithashtu në kuptimin e dallimeve mes shkrimit me dorë dhe atij në tastierë, një debat që vazhdon të tërheqë vëmendjen e shkencëtarëve. Në një epokë ku ekranet janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë, ky studim sugjeron se letra mund të ruajë ende një avantazh të rëndësishëm, ta ndihmojë trurin të kuptojë dhe të mbajë mend më mirë atë që lexon./fc
