Këngëtari i njohur Marc Anthony është bërë baba për herë të tetë, pasi bashkëshortja e tij Nadia Ferreira ka sjellë në jetë fëmijën e tyre të dytë.
Çifti e ndau lajmin e gëzueshëm përmes një postimi në Instagram të martën, më 21 korrik.
“Çfarë bekimi i madh është të ndajmë me ju ardhjen e të çmuarës sonë, Mila. Nuk mund ta imagjinoni gëzimin që kemi në shtëpinë tonë. Jemi në qiellin e shtatë.”
Ata publikuan edhe disa fotografi të ëmbla të të porsalindurës.
Këngëtari 57-vjeçar dhe modelja 27-vjeçare kishin bërë të ditur shtatzëninë në janar, përmes një postimi ku festonin përvjetorin e tretë të lidhjes së tyre.
“Çfarë dhurate të mrekullueshme po na jep jeta. Zoti është i madh”, shkruan ata në atë kohë, ndërsa në foto shihej dora e djalit të tyre Marco mbi barkun e Ferreiras.
Dy muaj më vonë, Nadia zbuloi gjininë e fëmijës së dytë përmes rrjeteve sociale, duke pozuar me një palë këpucë të vogla rozë.
“Një surprizë e mbushur me dashuri”, shkroi ajo krahas fotos.
Marc Anthony dhe Nadia Ferreira janë të martuar që nga janari i vitit 2023. Ata u kurorëzuan në Miami, tetë muaj pas fejesës së tyre.
Këngëtari ka edhe gjashtë fëmijë të tjerë nga marrëdhëniet e mëparshme: vajzën 31-vjeçare Ariana dhe djalin 28-vjeçar Chase me ish-partneren Debbie Rosado; djemtë Christian (25 vjeç) dhe Ryan (22 vjeç) me ish-bashkëshorten Dayanara Torres; si dhe binjakët 17-vjeçarë Emme dhe Maximilian, të cilët i ka me këngëtaren dhe aktoren Jennifer Lopez./mxh
