Regjisori rikthehet në garë me filmin “Kthim në Buenos Aires”
Nga Francesca Pierleoni
Marco Bechis ishte në një dyqan Ikea kur mori lajmin nga drejtori i Festivalit të Filmit në Venecia, Alberto Barbera, se filmi i tij “Kthim në Buenos Aires” (Ritorno a Buenos Aires) ishte përzgjedhur në garë në edicionin e 83-të të festivalit.
Për regjisorin italo-kilian, Ikea është një nga ato “vende jo-vende” që i pëlqejnë shumë, njësoj si aeroportet – hapësira kalimtare, pa një identitet të përcaktuar, por që kanë një atmosferë të veçantë.
“Atë ditë po prisja përgjigjen nga Venecia dhe kishte tashmë një shenjë pozitive: askush nuk na kishte dërguar letrën e famshme për të na njoftuar se nuk ishim përzgjedhur. Isha aty duke xhiruar kur mora një telefonatë nga Alberto Barbera, i cili më dha lajmin”, rrëfen Bechis.
Regjisori, nëna e të cilit është kiliane, ndërsa babai është rritur në Brazil dhe Argjentinë, ka jetuar në Itali prej 40 vitesh. Ai rikthehet kështu në garën për Luanin e Artë 18 vjet pas pjesëmarrjes së tij me filmin “Birdwatchers”.
Në “Kthim në Buenos Aires”, me protagonist Adriano Xhanini (Adriano Giannini), Bechis rikthehet te periudha e diktaturës ushtarake në Argjentinë, një realitet që ai e ka përjetuar personalisht. Në vitin 1977, kur ishte vetëm 20 vjeç, ai u rrëmbye nga forcat e regjimit, u mbajt në një qendër sekrete paraburgimi dhe më pas u transferua në një burg ushtarak.
Ajo periudhë dhune dhe terrori ka qenë një temë e përsëritur në krijimtarinë e tij kinematografike, e trajtuar nga këndvështrime të ndryshme në filma si “Garage Olimpo” dhe “Sons”.
Megjithatë, Bechis thekson se filmi i ri nuk është historia e tij personale.
“Në ‘Kthim në Buenos Aires’ nuk është historia ime, por ka elemente që lidhen me personazhin e Adriano Xhaninit”, shpjegon ai.
Këtë herë, regjisori është përqendruar te figura e një të mbijetuari, sepse sipas tij kjo temë është jashtëzakonisht aktuale.
“Sa të mbijetuar palestinezë të pushtimit të Gazës ka sot? Përveç të mbijetuarve të luftës në Ukrainë, ekziston një numër i madh njerëzish që po jetojnë përmes luftërave”, thotë Bechis.
Ai shpjegon se ndjeu nevojën për të treguar një histori mbi traumën e luftës, por zgjodhi ta bëjë këtë përmes një përvoje që e njeh thellë.
“Në vend që të flisja për realitete që nuk i njoh nga afër, nga Lindja e Mesme te Afrika apo Ukraina, doja ta bëja përmes një historie që e njoh mirë”, shprehet ai.
Filmi, një bashkëprodhim ndërkombëtar mes Italisë dhe Brazilit, realizuar nga Fandango, 39Films, Karta Film dhe 34 Films, në bashkëpunim me Rai Cinema, pritet të dalë në kinematë italiane më 17 shtator.
Ngjarjet zhvillohen në Buenos Aires, në vitin 2008. Pas 33 vitesh të kaluara në Itali, Mariano Guerra (i interpretuar nga Adriano Xhanini) kthehet në Argjentinë për të dëshmuar në gjyqin kundër ish-ushtarëve që e kishin rrëmbyer, torturuar dhe mbajtur peng gjatë diktaturës ushtarake.
Kthimi në Buenos Aires e detyron personazhin të përballet me pyetjen më të vështirë: çfarë do të thotë të jesh gjallë pasi ke kaluar një traumë të tillë?
Në kastin e filmit janë gjithashtu Paula Koen (Paula Cohen), Ana Çelentano (Ana Celentano), Vero Gerez, Olivia Nuss, Adrian Fondari dhe Marcelo Chaparro.
Ideja për filmin lindi pas botimit të librit “La solitudine del sovversivo” (Vetmia e subversivit), të shkruar nga Bechis në vitin 2021. Vepra është pjesërisht autobiografike dhe në pjesën e fundit rrëfen edhe kthimin e tij në Argjentinë për të dëshmuar kundër ish-pjesëtarëve të ushtrisë.
Megjithatë, ai thekson se historia e tij dhe ajo e personazhit në film ndahen në shumë pika.
Ajo që i bashkon është ajo që quhet “sindroma e të mbijetuarit”.
“Është diçka që të përcakton, bëhet pjesë e identitetit tënd. Ekziston një ndjenjë faji sepse ti je gjallë, ndërsa të tjerët nuk janë më”, thotë Bechis.
Ai rrëfen se edhe në momentet e gëzimit, mendimet i kthehen shpesh shokëve të tij të rinisë që humbën jetën gjatë represionit.
Një tjetër arsye që e shtyu të realizonte filmin ishte mënyra e ndryshme se si shoqëria reagonte ndaj dhunës atëherë dhe sot.
“Kur ndodhi grushti i shtetit në Kili në vitin 1973, e gjithë Evropa u mobilizua. Megjithatë, informacioni që merrnim shpesh ishin vetëm fotografi të zbehta bardh e zi në gazeta. Sot kemi informacion në kohë reale, videot e masakrave na vijnë në telefon, dhe megjithatë nuk mobilizohemi”, thotë regjisori.
Kur pyetet nëse njerëzit janë bërë më të pandjeshëm ndaj dhunës, përgjigjja e tij është e drejtpërdrejtë:
“Po. Shfletimi të lejon ta heqësh atë. Kalon te imazhi tjetër dhe harron.”
