Në fillim të viteve ’50, Marlon Brando revolucionarizoi Hollywood-in me një prani magnetike, një mënyrë të re të qëndrimit para kamerës dhe një qasje ndaj aktrimit të bazuar në metodën e Stanislavskit, të cilën ai e përshtati në mënyrën e tij, shkruan marieclaire com.
Në vetëm pak filma, si “Një tramvaj me emrin “Dëshirë (1951), me regji të Elia Kazan, “I egri” (1953), me regji të László Benedek dhe “Jul Cezari”(1953), me regji të Joseph L. Mankiewicz, Brando ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme kinematografike.
Konsakrimi erdhi me “Në frontin e portit” (1954), me regji të Elia Kazan, për të cilin ai fitoi Oscar-in për aktorin më të mirë protagonist.
Ky vlerësim e shndërroi në një legjendë të kinemasë në moshën vetëm 30-vjeçare.
Në vitet që pasuan, aktori ruajti statusin e tij me filma që konfirmuan talentin dhe karizmën e tij në ekran, mes tyre “Banda dhe kukulla” (1955), Kryengritja e Bounty-t (1962) dhe “Gjuetia (1966).
Në të gjithë këta filma, Brando la gjurmë me interpretime që e konsakruan, në sytë e kritikës dhe publikut, si një prej aktorëve më të mëdhenj të botës.
Pikërisht kjo reputacion tërhoqi vëmendjen e Charlie Chaplin, i cili në moshën rreth 77-vjeçare i ofroi Brando-s rolin protagonist në atë që do të ishte filmi i tij i fundit, Kontesha e Hong Kongut (1967).
Në këtë komedi romantike, e vendosur në bordin e një transatlantiku që udhëtonte nga Hong Kongu drejt San Franciskos, Brando interpretonte Ogden Mears, një diplomat amerikan që gjen në kabinën e tij një grua misterioze që kishte hyrë fshehurazi në anije.
Rolin e saj e luante Sophia Loren.
Më vonë zbulohet se ajo ishte një ish-balerinë ruse, e cila kishte rënë në varfëri dhe dëshironte të emigronte në Shtetet e Bashkuara.
Edhe pse Brando e kishte pranuar me entuziazëm projektin, gjatë xhirimeve ai mbeti thellësisht i zhgënjyer
Vite më vonë, në autobiografinë e tij Këngët që më mësoi nëna ime, Brando tregoi përvojën e tij në sheshxhirim me Chaplin-in, të cilin e kishte admiruar që kur ishte fëmijë.
Sipas tij, gjatë punës ai kuptoi se Chaplin ishte shumë ndryshe nga imazhi që kishte krijuar për të.
“Gjeni i komedisë apo jo, kur shkova në Londër për të punuar me të, tashmë në moshë të thyer, Charlie Chaplin ishte një njeri jashtëzakonisht mizor”, shkroi Brando.
Sipas aktorit, tensionet u shtuan gjatë xhirimeve. Ajo që kishte nisur si një bashkëpunim mes dy ikonave të kinemasë u shndërrua, sipas Brando-s, në një makth.
“Kontesha e Hong Kongut ishte një katastrofë dhe, gjatë xhirimeve, zbulova se ishte njeriu më sadist që kisha njohur ndonjëherë. Një tiran egoist dhe koprrac”, rrëfente Brando.
Ai pretendonte se Chaplin sulmoi verbalisht njerëzit kur ata vonoheshin dhe i qortonte pa mëshirë që të punonin më shpejt.
Por ajo që e tronditi më shumë, sipas Brando-s, ishte mënyra se si Chaplin sillej me djalin e tij, Sydney, i cili ishte gjithashtu pjesë e kastit.
Brando tregoi se Chaplin e poshtëronte vazhdimisht djalin e tij para të gjithëve, duke e kritikuar edhe për veprime të thjeshta gjatë xhirimeve.
“Sydney, je budalla! Nuk ke aq inteligjencë sa të dish si vendoset dora në dorezën e një dere? E di çfarë është një dorezë, apo jo? Thjesht duhet ta rrotullosh dorezën, të hapësh derën dhe të hysh. Është e lehtë, apo jo, Sydney?”, kujtonte Brando se i thoshte Chaplin-i të birit.
Sipas Brando-s, Chaplin e përsëriste këtë sjellje vazhdimisht. Ai shtonte se Oona O’Neill, bashkëshortja e Chaplin-it, ishte shpesh e pranishme, por nuk e mbronte djalin e saj.
“Ishte e dhimbshme të shihje të gjithë këtë”, shkruante Brando.
Një tjetër episod ndodhi kur vetë Brando mbërriti në sheshxhirim rreth 15 minuta me vonesë
Aktori pranoi se kishte gabuar dhe se nuk duhej të ishte vonuar, por sipas rrëfimit të tij, Chaplin e qortoi para të gjithë kastit, duke e poshtëruar dhe duke i thënë se nuk kishte asnjë ndjenjë etike profesionale dhe se ishte një turp për profesionin e tij.
Kështu, për Brando-n, bashkëpunimi me një prej figurave më të mëdha të historisë së kinemasë u shndërrua në një përvojë të hidhur.
Admirimi që kishte pasur për Chaplin-in që në fëmijëri u zëvendësua nga një zhgënjim i thellë, pasi, sipas kujtimeve të tij, ai zbuloi një anë të aktorit dhe regjisorit legjendar që nuk e kishte imagjinuar kurrë./mxh
