Last Updated on 23/09/2026 by EL
Mijëra qytetarë marokenë u janë drejtuar kutive të votimit të mërkurën për të zgjedhur parlamentin e ri, në një proces zgjedhor ku shqetësimet për punësimin, pagat, shërbimet publike dhe koston e jetesës përballen me pritshmëritë për mundësi të reja ekonomike.
Zgjedhjet marrin një rëndësi të veçantë edhe për shkak të përgatitjeve për Kupën e Botës 2030, të cilën Maroku do ta bashkëorganizojë me Spanjën dhe Portugalinë. Qeveria e ardhshme do të duhet të menaxhojë përgatitjet për këtë event madhor, ndërsa përballet me presionin për të adresuar papunësinë, pagat e ulëta, problemet e strehimit, arsimit dhe spitaleve.
Qendrat e votimit pritet të mbyllen në orën 19:00 sipas kohës lokale, ndërsa rreth 16 milionë votues të regjistruar kanë të drejtë të votojnë për 395 mandatet e Dhomës së Përfaqësuesve. Në garë janë 7,288 kandidatë, të mbështetur nga 28 parti dhe aleanca, si dhe dy lista të pavarura.
Zgjedhjet do të përcaktojnë përbërjen e qeverisë së ardhshme dhe kryeministrin, por pushteti politik në Marok mbetet i ndarë me një monarki të fuqishme, e cila ruan kompetenca të gjera në çështjet strategjike. Kushtetuta përcakton se mbreti zgjedh kryeministrin nga partia që del e para në zgjedhjet parlamentare.
Meqë asnjë parti nuk pritet të sigurojë shumicën absolute prej 198 mandatesh, formimi i qeverisë pritet të kërkojë negociata për një koalicion. Portofolat ministrore ndahen mes aleatëve politikë, ndërsa pallati mbretëror tradicionalisht ruan kontrollin mbi poste kyçe, përfshirë mbrojtjen dhe politikën e jashtme.
Ekonomi në rritje, por mungojnë vendet e punës
Ekonomia marokene po rritet dhe vendi po tërheq investime të huaja, ndërsa sektorë të rinj të ekonomisë janë zhvilluar vitet e fundit. Maroku është shndërruar gjithashtu në destinacionin më të vizituar në Afrikë.
Megjithatë, zhvillimi ekonomik mbetet i pabarabartë. Rritja nuk po krijon mjaftueshëm vende pune dhe rreth 12.7% e marokenëve jetojnë në varfëri relative. Këto shqetësime janë veçanërisht të forta tek të rinjtë, të cilët kanë dëgjuar edhe më parë premtime për përmirësimin e kushteve ekonomike.
Kush janë partitë kryesore?
Qeveria në largim është një koalicion mes Tubimit Kombëtar të të Pavarurve (RNI), Partisë së Autenticitetit dhe Modernitetit (PAM) dhe Partisë Istiqlal. Të tria synojnë të dalin të parat në zgjedhje.
RNI, parti liberale dhe pro-biznesit, fitoi zgjedhjet e vitit 2021 dhe ka drejtuar qeverinë gjatë pesë viteve të fundit. Kryeministri Aziz Akhannouch u largua nga drejtimi i partisë në shkurt dhe nuk kandidon për një mandat parlamentar. Në krye të RNI-së është tashmë Mohamed Chouki.
RNI dhe PAM kanë premtuar krijimin e rreth 1 milion vendeve të punës gjatë mandatit të ardhshëm pesëvjeçar. RNI ka propozuar gjithashtu një pagë minimale mujore të garantuar prej 5,000 dirhemësh.
PAM, partia e dytë më e madhe në parlamentin në largim, ka mes figurave kryesore në këtë garë Fatima-Zahra Mansouri, kryetare e bashkisë së Marrakeshit dhe ministre e planifikimit urban, si dhe Fouzi Lekjaa, ministër i buxhetit dhe president i federatës marokene të futbollit.
PAM ka propozuar përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat të pagave nën 15,000 dirhemë dhe krijimin e 100,000 mundësive të strehimit për të rinjtë. Nëse partia del e para dhe Mansouri zgjidhet për të drejtuar qeverinë, ajo do të bëhej gruaja e parë në postin e kryeministrit të Marokut.
Istiqlal, partia më e vjetër politike e vendit, drejtohet nga ministri i Ujërave, Nizar Baraka. Partia, me orientim nacionalist dhe konservator, ka vendosur në programin e saj përshpejtimin e trajtimit të pacientëve në spitalet publike.
Në garë është edhe Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (PJD), e drejtuar nga ish-kryeministri Abdelilah Benkirane. PJD drejtoi qeverinë për një dekadë, por në zgjedhjet e vitit 2021 ra nga 125 në vetëm 13 mandate. Partia premton të ngushtojë diferencat ekonomike mes Kazablankës dhe pjesëve të tjera të vendit.
Në garë janë gjithashtu Bashkimi Socialist i Forcave Popullore, Lëvizja Popullore dhe Partia e Progresit dhe Socializmit, e cila ka vënë theksin tek arsimi dhe forcimi i masave kundër korrupsionit.
Si funksionojnë zgjedhjet?
Votuesit marrin dy fletë votimi dhe zgjedhin një listë partie, në vend të kandidatëve individualë.
Nga 395 mandatet, 305 zgjidhen në zonat elektorale lokale, ndërsa 90 mandatet e tjera përmes listave rajonale të përbëra vetëm nga gra. Mandatet shpërndahen sipas sistemit proporcional.
Sipas Kushtetutës së vitit 2011, mbreti Mohammed VI emëron kreun e qeverisë nga partia që fiton numrin më të madh të mandateve. Meqë asnjë forcë politike nuk pritet të arrijë shumicën prej 198 mandatesh, partia fituese do të duhet të negociojë me partitë e tjera për formimin e koalicionit. Përbërja e propozuar e qeverisë duhet më pas të marrë miratimin mbretëror.
Qeveria e zgjedhur administron politikën e brendshme dhe shërbimet publike, ndërsa mbreti ruan kompetenca të gjera mbi drejtimin e përgjithshëm të vendit, mbrojtjen dhe politikën e jashtme.
Numërimi nis pas mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa rezultatet paraprake kombëtare zakonisht publikohen ditën pas zgjedhjeve. Maroku nuk zhvillon sondazhe publike zgjedhore, ndaj nuk ka një parashikim të besueshëm publik për partinë që do të renditet e para. Pas shpalljes së rezultatit, partia kryesuese pritet të nisë negociatat për formimin e koalicionit.
