Last Updated on 23/09/2026 by EL
Vetmia dhe izolimi social mund të shkurtojnë ndjeshëm vitet që një person mund të jetojë pa sëmundje kronike, ndërsa ndikimi ndryshon edhe mes burrave dhe grave.
Izolimi social i referohet kontaktit dhe pjesëmarrjes së kufizuar me njerëzit e tjerë, ndërsa vetmia është një përjetim subjektiv i shkëputjes nga bota përreth. Edhe pse nuk janë e njëjta gjë, një studim i ri i publikuar në revistën Nature Communications ka gjetur se të dyja lidhen me më pak vite jetë të shëndetshme.
Studiuesit analizuan të dhënat e më shumë se 270 mijë personave të moshave 40 deri në 69 vjeç dhe zbuluan se, mesatarisht, vetmia dhe izolimi social mund t’u kushtojnë njerëzve rreth 6 vite jetë pa sëmundje. Ndikimi shfaqet si në shëndetin fizik, ashtu edhe në atë mendor.
“Studimi tregoi se izolimi social dhe vetmia mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në jetëgjatësinë pa sëmundje”, tha autori kryesor i studimit, Lu Qi, profesor në Universitetin Tulane.
Ndikimi ishte më i fortë në humbjen e viteve pa çrregullime mendore, si depresioni dhe ankthi, sesa në vitet pa sëmundje fizike. Në analizë u përfshinë sëmundje si diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet kronike të frymëmarrjes, sëmundjet neurodegjenerative dhe kanceri.
Burrat dhe gratë preken ndryshe
Studimi tregon gjithashtu një ndryshim të rëndësishëm gjinor. Tek gratë, problemet e shëndetit mendor ishin më të lidhura me vetminë, ndërsa tek burrat lidhja ishte më e fortë me izolimin social.
Për gratë, vetmia dhe izolimi social u shoqëruan me 2.4 vite më pak jetë pa probleme të rëndësishme fizike dhe 3.7 vite më pak jetë pa çrregullime mendore.
Tek burrat, humbja ishte rreth 1.7 vite jetë pa sëmundje fizike dhe 5.8 vite jetë pa çrregullime mendore.
Sipas autorëve, këto ndryshime mund të lidhen me mënyrën se si burrat dhe gratë krijojnë marrëdhënie dhe marrin mbështetje psikologjike. Gratë priren të mbështeten më shumë te lidhjet emocionale, ndërsa burrat mund të varen më shumë nga prania fizike dhe ndërveprimet e shpeshta shoqërore.
Një tjetër gjetje e rëndësishme ishte se një mënyrë jetese e shëndetshme mund të zbusë një pjesë të ndikimit negativ të izolimit social. Megjithatë, sipas studimit, një stil i shëndetshëm jetese nuk duket se e kompenson plotësisht dëmin e lidhur me vetminë.
Në moshën 50-vjeçare, personat që përjetonin njëkohësisht vetmi dhe izolim social kishin më pak vite të pritshme pa sëmundje kronike madhore krahasuar me ata që nuk përjetonin asnjërën prej tyre.
