Një marrëveshje e propozuar mes Iranit dhe Omanit, e cila synon t’i japë fund luftës pesëmujore mes Iranit dhe SHBA-së, parashikon që Teherani të kontrollojë anijet që hyjnë në Gjirin Persik përmes Ngushticës së Hormuzit. Kjo do të përbënte një nga lëshimet më të mëdha të bëra deri tani ndaj Iranit, thanë për Reuters një zyrtar i lartë iranian dhe dy zyrtarë rajonalë.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se negociatat po ecin shumë mirë dhe se një marrëveshje për rihapjen e ngushticës mund të arrihet së shpejti. Megjithatë, burimet rajonale theksuan se disa çështje të rëndësishme mbeten të pazgjidhura dhe kundërshtuan idenë se marrëveshja është pranë përfundimit.
Sipas propozimit, anijet që hyjnë në Gjirin Persik do të kalonin përmes ujërave territoriale iraniane. Ende po diskutohet se çfarë roli do të ketë Irani mbi anijet që lëvizin në drejtimin e kundërt. Vendet e Gjirit kërkojnë që kontrollet e anijeve të mbikëqyren edhe nga shtetet e rajonit dhe që çdo tarifë të jetë vullnetare.
Irani kërkon tarifa që arrijnë në 5–7% të vlerës së ngarkesave të transportuara, ndërsa Omani po diskuton një nivel prej rreth 3%. Uashingtoni kundërshton vendosjen e çdo tarife.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, deklaroi se bisedimet me Omanin kanë arritur në “mirëkuptime themelore” dhe se marrëveshja është pranë finalizimit. Ai shtoi se Teherani ka marrë mesazhe sipas të cilave SHBA-ja është e gatshme t’u rikthehet angazhimeve të memorandumit të arritur në mesin e qershorit, që parashikonte ndërprerjen e operacioneve ushtarake. Megjithatë, ai mohoi që ditët e fundit të jenë zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me SHBA-në.
Ndërkohë, Irani ka paralajmëruar vendet e Gjirit se një sulm i ri amerikan ndaj territorit të tij do të sillte kundërpërgjigje ndaj infrastrukturës energjetike dhe objektivave të tjera rajonale.
Trump, i cili po përballet me presionin e opinionit publik amerikan për t’i dhënë fund konfliktit, tha se parapëlqen një zgjidhje diplomatike. Përpjekjet ushtarake amerikane nuk kanë arritur deri tani të dobësojnë kontrollin iranian mbi ngushticën, ndërsa çmimet e naftës ranë pasi Trump anuloi sulmet e reja, duke përmendur negociatat në vazhdim./REUTERS-ad
