Last Updated on 12/09/2026 by EL
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka reaguar për marshimin në Prishtinë për ish-krerët e UÇK. Përmes një postimi në rrjetet sociale Nufi shprehet se ky marshim është për ata që sakrifikuan gjithçka për një ideal më të madh se vetja!
Postimi i plotë:
Sot, shqiptaria krejt marshon për Lirinë. Marshon për ata që e deshën Kosovën të lirë! Marshon për ata që u ngritën në ditët më të vështira! Dhe marshon për ata që sakrifikuan gjithçka për një ideal më të madh se vetja!
Me mijëra zëra bashkohen në Prishtinë për të kujtuar disa të vërteta që nuk mund të zhbëhen kurrën e kurrës: Se liria nuk është dhuratë; por është sakrificë, kujtesë e përgjegjësi! Se ata që luftuan për lirinë e Kosovës meritojnë respekt dhe dinjitet!
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë simbol i kësaj lufte për lirinë e merituar të Kosovës! Prandaj ky ‘MarshimPërLiri’ ulëret fort për dinjitetin dhe lirinë që duhet t’iu kthehen atyre sa më parë!
Sepse rikthimi i dinjitetit dhe liria e tyre është mbi të gjitha respekt për të gjithë burrat e gratë që kanë sakrifikuar për idealin e lirisë së Kosovës! Kjo sakrificë sublime s’duhet të harrohet kurrë, por duhet të shkruhet me gërma të arta në kapitujt e një historie që të mos humbasë në zhurmën e ditës, por të shohë vetëm nga e ardhmja e ndritur – me respekt dhe dinjitet!/et
