Last Updated on 21/04/2026 by EL
Tregu i produkteve bujqësore në vend ka shënuar luhatje të forta gjatë muajit mars 2026, me rritje të ndjeshme të çmimeve për disa nga perimet më të konsumuara, pjesë e ushqimeve të shportës.
Rritja më e theksuar u regjistrua tek domatet, të cilat u shtrenjtuan me 29% brenda një muaji, duke arritur në 286 lekë për kilogram nga 202.5 lekë në shkurt, referuar çmimeve mesatare të publikuara nga Instituti i Statistikave. Ky është çmimi më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë produkt, që u kthye në ‘trend’ muajin e kaluar pasi disa ditë u tregtua deri me 400 lekë.
Importi u konsiderua si shkaku kryesor i këtij shtrenjtimi, por shifrat e Drejtorisë së Doganave tregonin se çmimi i zhdoganimit për këtë produkt ishte 56 lekë nga Greqia, 59 lekë nga Italia, 64 lekë nga Turqia.
Një trend i ngjashëm shtrenjtimi është vërejtur edhe për specat, çmimi i të cilëve u rrit me 17%, duke kapur nivelin e 313.9 lekëve për kilogram, rritje e lehtë është regjistruar edhe tek patatet. Ndërsa tek produktet e tjera si kastravecë dhe qepë çmimi ka pasuar rënie të lehtë.
Këto luhatje të forta në disa produkte tregojnë për një presion në rritje mbi çmimet e perimeve të freskëta, jo vetëm nga importi apo mungesa e prodhimit vendas por edhe prej rritjes së kostove të transportit prej luftës në Iran.
Ministria e Ekonomisë ka deklaruar se aktualisht vetëm po monitoron tregjet por për shkak se shtrenjtimi është evidentuar vetëm në disa produkte, nuk kanë ndërhyrë me masa konkrete.
Edhe çmimi i hidrokarbureve sipas të dhënave të INSTAT pësoi rritje të fortë. Më konkretisht nafta u shtrenjtua me 16% krahasuar me muajin shkurt, benzina me 10% dhe gati me 7%.
Ekonomia po përjeton një realitet të ri deklarojnë institucionet publike, ndikuar direkt nga lufta në Lindjen e Mesme, që mund të sjellin pasoja serioze edhe për ekonominë tonë, nëse konflikti zgjatet.
Ndërsa FMN pak ditë më parë tha se “aktiviteti global tani përballet me një provë të madhe nga shpërthimi i luftës në Lindjen e Mesme”, dhe uli pritshmëritë për rritjen ekonomike, jo vetëm për Shqipërinë (nga 3.6% në 3.4%) por në rang global./et
