Parlamenti i Iranit po përpiqet ta shndërrojë në ligj frikën nga infiltrimi i huaj. Por, derisa ligjvënësit po punojnë në këtë projektligj, debati po ngre një pyetje gjithnjë e më të sikletshme për Republikën Islamike: Sa larg mund të shkojë shteti në kontrollimin e kontakteve të iranianëve me botën e jashtme?
Në qendër të këtij debati është kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, i cili, të paktën publikisht, po përpiqet të gjejë një baraspeshë. Ai e ka mbrojtur nevojën për masa më të ashpra kundër infiltrimit të huaj, ndërsa ka paralajmëruar se versioni i tanishëm i projektligjit shkon shumë larg.
“Patrioti nuk kundërshton luftën kundër infiltrimit të huaj”, tha Qalibaf gjatë një seance të fundit parlamentare. Por, ai shtoi se ligjvënësit duhet të sigurohen që “të drejtat, jeta dhe veprimtaria tregtare” e njerëzve të mos preken.
Ai tha se agjencitë e sigurisë mund të kenë nevojë të jenë në gjendje t’i verifikojnë kontaktet e iranianëve me të huajt, por se nuk mund të kërkojnë leje në çdo hap.
“Ata thonë se duan të jenë të sigurt, që leja të kërkohet prej tyre në çdo hap”, tha kryetari konservator i Parlamentit. “Kjo nuk është e mundur, sepse atëherë do të na duhej ta izolonim plotësisht vendin”.
Baraspesha është në thelb të këtij projektligji që u hartua si përgjigje në kohë lufte ndaj dështimeve të vërteta të sigurisë.
Dy luftërat e fundit zbuluan se sa thellë kishte depërtuar inteligjenca izraelite në Iran dhe nxitën thirrje për masa më të ashpra për zbulimin dhe parandalimin e ndikimit të huaj.
Por, ajo që nisi si një përgjigje ndaj një çështjeje sigurie është shndërruar në një betejë shumë më të gjerë mbi kufijtë e sigurisë së shtetit të Republikës Islamike.
Projektligji, i quajtur zyrtarisht “Plani për Luftimin e Infiltrimit të Shërbimeve të Inteligjencës dhe Qeverive apo Institucioneve të Huaja”, por që zakonisht i referohen si “Projektligji për Infiltrimin”, do t’u kërkonte iranianëve të merrnin leje paraprake nga Ministria e Inteligjencës dhe Organizata e Inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), para se të angazhoheshin në një gamë të gjerë veprimtarish.
Këto veprimtari përfshijnë botimin e librave ose artikujve, bashkëpunimin akademik, intervistat me mediat e huaja që konsiderohen “armiqësore”, si dhe pjesëmarrjen në konferenca shkencore apo festivale të artit.
Projektligji përfshin gjithashtu dispozita që e bëjnë vepër penale dhënien e intervistave, zhvillimin e diskutimeve dhe komunikime të tjera me mediat që konsiderohen armiqësore, si dhe dërgimin e fotografive, videove, regjistrimeve audio apo materialeve të tjera te mediat e huaja.
