Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka kritikuar vendimin e Shteteve të Bashkuara për të vendosur ndalime vizash ndaj ish-komisionerit të Bashkimit Evropian, Thierry Breton, dhe katër figurave të tjera evropiane.
Në një postim në rrjetin social X, Macron e konsideroi këtë vendim si një formë intimidimi dhe presioni, që synon të minojë sovranitetin digjital të Evropës. Ai theksoi se rregulloret digjitale të Bashkimit Evropian janë miratuar në mënyrë demokratike nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian dhe zbatohen brenda Europës për të siguruar konkurrencë të drejtë mes platformave, pa synuar ndonjë vend të tretë.
“Bashkë me Komisionin Evropian dhe partnerët tanë, do të vazhdojmë të mbrojmë sovranitetin dhe autonominë tonë rregullatore,” shtoi presidenti francez.
Ky reagim vjen pas tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian mbi legjislacionin dhe rregullat që synojnë të rregullojnë hapësirën digjitale evropiane./mxh
