Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtatë persona mashtrim me investimet në Forex ndaj të huajve. Hetimet nisën në vitin 2023 pas informacioneve të të marra në rrugë operative nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, mbi subjektet e licensuara dhe të palicensuara në lidhje me veprimtarinë ‘Forex’.
Rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar veprimtari mashtruese në ambientet e shoqërisë ‘OZAR’ sh.p.k., nëpërmjet një skeme të mirëorganizuar, e realizuar në formën e një call center-i. Brenda kësaj veprimtarie, të pandehurit në fjalë, kanë marrë pjesë në realizimin e skemës mashtruese të drejtuar ndaj shtetasve të huaj, mes tyre shtetasit italianë L.C. dhe S.S., duke kontribuar në funksionimin normal të mekanizmit të mashtrimit dhe në sigurimin e vijimit të tij.
Nga këqyrja e aplikacionit “WhatsApp” të telefonave të sekuestruar, u konstatuan biseda me persona të ndryshëm, shtetas të regjistruar me emra italianë, të cilët kanë dërguar foto të kartave të identitetit, të kërkuara nga përdoruesi i telefonit. Nga bisedat rezultoi se këtyre shtetasve u kërkoheshin shuma të ndryshe monetare për t’i investuar në bursën Forex, me qëllim përfitimin e vlerave më të mëdha në këmbim.
Në rastin konkret të aktivitetit mashtrues të zhvilluar në ambientet e call center-it, rezulton se të pandehurit kanë vepruar me dashje të drejtpërdrejtë dhe me qëllim përfitimi pasuror.
“Ata kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm për natyrën mashtruese të veprimtarisë, që konsistonte në kontaktimin e klientëve të huaj për investime të rreme në Forex dhe kanë ndjekur në mënyrë të përsëritur të njëjtin mekanizëm për të përfituar shuma parash pa qëllim kthimi”, tha prokuroria.
Sipas organit të akuzës një prej të punësuarve në “Ozar” sh.p.k ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në ndjekjen e klientëve dhe në koordinimin e punës së operatorëve. Ndërsa një tjetër ka pasur një rol të lartë funksional në strukturën e brendshme të aktivitetit, duke dhënë udhëzime, ndarë detyra, etj.
Në këtë skemë figuron edhe administratori ligjor i shoqërisë “OZAR” sh.p.k.
“Përgjegjësia e tij lidhet me mosveprimin e tij si administrator, me faktin që ai ka pranuar të figurojë si drejtues i shoqërisë pa marrë masat e nevojshme për të parandaluar përdorimin e shoqërisë për veprimtari të paligjshme”, njoftoi prokuroria.
Një tjetër ka marrë pjesë drejtpërdrejt në veprimet mashtruese dhe në mbështetjen e operatorëve që ushtronin këtë veprimtari. Ndërsa dy prej tyre kanë qenë në momentin e ndërhyrjes së policisë pranë “Ozar” me dijeni të plotë mbi natyrën mashtruese të aktivitetit që zhvillohej në këto ambiente. Në gjyq është dërguar edhe personi kryesor, sipas prokurorisë, i ngarkuar me mbikëqyrjen dhe zgjidhjen e problemeve teknike të operatorëve dhe supervizorëve.
“Nga sa më sipër, rezulton e provuar se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe më shumë se një herë, kanë konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të “Mashtrimit”, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal”, njoftoi prokuroria./kb
