Last Updated on 06/02/2026 by Monika
Gjykata e Durrësit ka verifikuar masat e sigurisë për 20 të arrestuarit për trafikun e mbetjeve të rrezikshme. Bëhet me dije se Gjykata 8 prej të arrestuarve i ka lënë në burg, 5 prej tyre në arrest shtëpië dhe 7 prej tyre detyrim paraqitje.
Kujtojmë se dy ditë më parë, Prokuroria e Durrësit njoftoi se kishte kërkuar masa sigurie për 33 persona, ndërsa janë ekzekutuar vetëm 20 prej tyre, pasi 13 të tjerët nuk u gjetën në banesa gjatë zhvillimit të operacionit të ekzekutimit të masave të sigurisë. Prokuroria bëri me dije se nga ekspertimi u provua se në anijen Moliva XA443A mbetjet janë të rrezikshme dhe toksike.
Gjithashtu njoftoi se mostrat e marra nga 102 kontejnerët e sekuestruar dhe mostrat e marra nga: “Shoqëria Kurum International” sh.a.; “Sokolaj” sh.p.k. dhe “Alliance Resource” sh.p.k., iu nënshtruan ekspertimit për përbërjen e tyre kimike, karakteristikat fizike, klasifikimin, përputhjen midis tyre, përputhjen me fletët e analizave të paraqitura nga subjektet për eksportin e tyre dhe rrezikshmërinë në shëndetin e njeriut dhe në mjedis.
Në mostrat e marra nga kontejnerët e sekuestruar nga shoqëria “Kurum International” sh.a. dhe “Alliance Resource”, u konstatua prania e elementëve që përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, që lidhen me rrezikun e toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore./mxh
