Për një miliarder që në vitin 2013 po mendonte çfarë të bënte me 250 milionë dollarë, zgjedhjet dukeshin të çuditshme, por domethënëse. Me aq para mund të blesh një gazetë. Jo çfarëdo gazete, por një media prestigjioze botërore, me dhjetëra çmime Pulitzer në mure dhe me dekada përvojë në mbajtjen e pushtetit nën kontroll.
Me të njëjtën shumë mund të blesh edhe gjysmën e një superjahti. Një jaht është thjesht një anije shumë e madhe.
Gazeta punëson qindra gazetarë. Ata punojnë fort për të zbuluar çfarë po ndodh realisht dhe për t’ua treguar njerëzve. Kjo do të thotë net të gjata në redaksi me pica, ditë të tëra duke telefonuar njerëz që nuk përgjigjen dhe duke shkuar në vende të papërshtatshme, në kohë të papërshtatshme, vetëm për të marrë një deklaratë dhe për ta bërë lajmin saktë. Puna në gazetë nuk është glamuroze. Edhe filmi “Spotlight”, që u bë për të treguar heroizmin e gazetarisë, u kujdes të paraqiste gazetarët sa më të thjeshtë dhe të rraskapitur në pamje.
Një superjaht ka disa kuverta. Edhe gazetat kanë “kuvertë” në zhargonin e medias, që janë nëntitulli nën titull.
Një jaht nuk pritet të sjellë fitim dhe askujt nuk i duket e çuditshme kjo. Edhe nëse jahti nuk vetëmbështetet kurrë financiarisht, pronari prapë do të jetë krenar që e ka. Askush nuk do të thoshte: “Po ta kthenim jahtin fort djathtas dhe të hidhnim disa njerëz në det, ndoshta do të bëhej fitimprurës”.
Një gazetë, në teori, mund të nxjerrë fitim. Një nga mënyrat është të mos humbasë masivisht abonentët.
Nëse jahti yt nuk mbështet një kandidat presidencial në një zgjedhje vendimtare, njerëzit do të thonë: “Mirë. Një anije nuk duhet të mbështesë kandidatë”. Por një gazetë është një shërbim publik. Kur e bën mirë punën e saj, njerëzit informohen më mirë dhe jetojnë më mirë, edhe pse kjo është e vështirë të matet me para. Dikur besohej se përmirësimi i jetës së njerëzve ishte një vlerë më vete.
Jahtit mund t’i vësh çfarë emri të duash. Edhe një gazetë ka identitetin e saj, por mbi të gjitha ka peshë: Ajo mund të rrëzojë edhe një president, gjë që ka ndodhur. Kjo, sigurisht, kërkon guxim nga pronari.
Jahti është vend ideal për festa. Por gazeta është mbrojtëse e Amendamentit të Parë dhe e lirisë së shprehjes. Thomas Jefferson ka thënë se, po të duhej të zgjidhte mes një qeverie pa gazeta dhe gazetave pa qeveri, do të zgjidhte të dytën.
Jahti yt nuk do të zbulojë kurrë diçka komprometuese për biznesin tënd. Nuk do të raportojë për abuzime pushteti, për fëmijë të vrarë, për dhimbjen dhe absurditetin e jetës. Një gazetë i bën të gjitha këto.
Nëse drejtuesi i jahtit gabon rëndë, kjo nuk lë qindra gazetarë pa punë. Askush nuk rrezikon jetën në zona lufte sepse “beson te jahti”. Askush nuk beson te jahti. Kur një gazetë shkatërrohet nga pronarë të pakujdesshëm ose dashakeqë, dëmtohen miliona njerëz: gazetarët, lexuesit, komunitetet dhe vetë shoqëria. Humbin histori që nuk do të tregohen kurrë dhe boshllëqe që nuk duken menjëherë, por ndihen.
Prandaj, para se të blesh, mendo mirë. A dëshiron vërtet të zotërosh një gazetë? A ke vërtet atë që duhet? Apo thjesht dëshiron edhe një jaht tjetër? Ji i sinqertë me veten, sepse përndryshe të gjithë do të jemi më keq./mxh
