Sulme ajrore ruse kanë goditur këtë të martë, 2 qershor, disa qytete të mëdha të Ukrainës, përfshirë Kievin, Dnipron dhe Kharkivin, duke lënë të paktën 22 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur, sipas autoriteteve ukrainase.
Sulmet vijnë pas disa ditësh paralajmërimesh se Moska po përgatit një ofensivë të gjerë ajrore.
Sipas zyrtarëve lokalë, vetëm në qytetin juglindor të Dnipros janë vrarë 12 persona dhe janë plagosur 36 të tjerë, pas një sulmi të kombinuar me raketa dhe dronë. Guvernatori rajonal Oleksandr Hanzha bëri të ditur se të gjithë të plagosurit janë dërguar në spital dhe ndodhen në gjendje të qëndrueshme. Ai publikoi gjithashtu pamje të ndërtesave të banimit të shkatërruara rëndë, automjeteve të djegura dhe një këndi lojërash për fëmijë të shkatërruar plotësisht.
Ndër viktimat në Dnipro ishte edhe një punonjës i shërbimeve të emergjencës, i cili u vra gjatë një sulmi të ashtuquajtur “double-tap”, një taktikë ku goditen fillimisht objektivat dhe më pas shënjestrohen ekipet e shpëtimit që mbërrijnë në vendngjarje.
Në Kiev, të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe 66 të tjerë janë plagosur, mes tyre edhe fëmijë, ka bërë të ditur kryetari i bashkisë Vitali Klitschko. Një goditje e dyshuar me raketë ndaj një pallati 24-katësh shkaktoi shembjen e pjesshme të ndërtesës, duke ngritur frikën se disa persona mund të jenë bllokuar nën rrënoja.
Në disa zona të tjera të qytetit, përfshirë lagjen Obolon, mbetje raketash shkaktuan zjarre në automjete dhe në zona të hapura, përfshirë edhe pranë një kopshti fëmijësh. Dhjetëra banorë të Kievit u detyruan të strehoheshin në stacionet e metrosë dhe në bunkerë gjatë alarmeve të sulmit ajror.
Sulmi shkaktoi gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike për rreth 140 mijë banorë të kryeqytetit.
Në total, sipas forcave ajrore ukrainase, Rusia lëshoi 656 dronë dhe 73 raketa gjatë natës, me objektiv kryesor zonat urbane të Kievit. Ukraina thotë se ka arritur të rrëzojë ose neutralizojë 602 dronë dhe 40 raketa.
Autoritetet ukrainase raportuan gjithashtu sulme në rajonin e Kharkivit, ku 10 persona, përfshirë një fëmijë, janë plagosur nga goditjet me dronë dhe raketa.
Në Dnipropetrovsk dhe disa zona të tjera, pamjet e publikuara tregojnë ndërtesa të shkatërruara, automjete të djegura dhe infrastrukturë civile të dëmtuar rëndë.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi se ka kryer një “sulm masiv” me armë me precizion të lartë kundër industrisë së mbrojtjes së Ukrainës, duke pretenduar se objektivat kanë qenë struktura ushtarake dhe jo civile. Të dyja palët vazhdojnë të mohojnë se synojnë civilët.
Në të njëjtën kohë, në Rusi dhe territoret e pushtuara, përfshirë Krimenë, autoritetet raportuan sulme me dronë ndaj rafinerive dhe bazave detare, përfshirë zjarr në rafinerinë Ilsky në rajonin e Krasnodarit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar një ditë më parë për një sulm të madh të mundshëm, duke u bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të vëmendshëm ndaj alarmeve të sulmeve ajrore.
Konflikti mes dy vendeve, i cili ka hyrë në vitin e tij të katërt që prej nisjes së pushtimit rus në vitin 2022, vazhdon të përshkallëzohet, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për një zgjidhje paqësore mbeten të bllokuara./mxh
