Last Updated on 12/06/2026 by Monika
Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ka kontribuar në kursimin e mbi 672 milionë lekëve për buxhetin e shtetit gjatë vitit 2025, ndërsa ka vijuar përmirësimin e performancës në trajtimin e ankesave dhe forcimin e transparencës në sistemin e prokurimeve publike. Gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, nënkryetari i KPP-së, Fiorent Zguro, paraqiti rezultatet e institucionit për vitin 2025, duke theksuar se fokusi ka qenë te thjeshtimi i procedurave, rritja e transparencës, shkëmbimi i njohurive dhe qëndrueshmëria në vendimmarrje.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 pranë KPP-së janë regjistruar gjithsej 1,197 ankesa, nga të cilat 1,188 lidhen me procedurat e prokurimit publik. Nga procedurat unike të ankimuara, rreth 36% kanë të bëjnë me dokumentet e tenderit, ndërsa 63.4% me fazën e vlerësimit të ofertave.
Komisioni ka shqyrtuar 1,152 ankesa gjatë vitit, duke kërkuar në 291 raste që autoritetet kontraktore të bëjnë ndryshimet e nevojshme në procedurat e tyre. Ndërkohë, koha mesatare e vendimmarrjes është ulur në 10 ditë, nga 12 ditë që ishte një vit më parë, ndërsa përqindja e ankesave të shqyrtuara jashtë afateve ligjore ka rënë në 8.9%.
Një nga treguesit kryesorë të performancës mbetet kursimi i fondeve publike. Sipas Zguros, gjatë vitit 2025 vendimmarrja e KPP-së ka sjellë kursime prej 672 milionë lekësh pa TVSH për buxhetin e shtetit.
Institucioni ka vijuar gjithashtu konsolidimin e praktikës së tij vendimmarrëse, duke publikuar 53 vendime interpretuese gjatë vitit. Nga 1,007 vendime të marra, vetëm 73 janë ankimuar në gjykatë, ndërsa shumica e vendimeve të Komisionit janë lënë në fuqi nga sistemi gjyqësor, duke konfirmuar ligjshmërinë e veprimtarisë së tij.
Raporti evidenton edhe përfitimet e digjitalizimit, i cili ka sjellë kursime prej mbi 1.8 milionë lekësh në shpenzime administrative për operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktore. Në aspektin institucional, gjatë vitit 2025 KPP ka zhvilluar 22 procedura rekrutimi, duke shtuar katër punonjës të rinj dhe duke punësuar katër persona me aftësi të kufizuara në pozicione mbështetëse. Sipas drejtuesve të institucionit, rezultatet e vitit 2025 dëshmojnë forcimin e rolit të KPP-së si garant i ligjshmërisë, transparencës dhe konkurrencës së ndershme në sistemin e prokurimeve publike./mxh
