Last Updated on 17/11/2026 by EL
Në Shqipëri autoritetet kanë dhënë 32 mijë leje qëndrimi në total, ku 18 mijë kanë qenë për arsye punësimi e ku 35% e lejeve u përkasin grave e vajzave, të cilat punojnë në sektorë të ndryshëm.
Sa i përket atyre që janë punësuar në sektorin e tekstileve dhe këpucëve, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim ka identifikuar një sërë problematikash, por ka dhënë edhe zgjidhjet konkrete për çdo rast të evidentuar.
“Fokusi ynë, ndër të tjera, ka qenë edhe takimi dhe informimi i grave dhe vajzave që punojnë në këtë sektor, duke u dhënë atyre informacionin e nevojshëm se si mund të raportojnë, ose më saktë, si t’i identifikojnë rastet kur ka shkelje në punë dhe ku e si mund t’i raportojnë ato. A kanë punonjëset migrante informacionin e nevojshëm për të drejtat e tyre? A i kuptojnë kontratat? A e dinë se ku duhet të drejtohen?”
Të dhënat u bënë të ditura gjatë një konference me titull “Puna pa kufij, të drejta për të gjithë”, që bëri bashkë gra emigrante që punojnë në sektorin fason në Shqipëri, përfaqësues të institucioneve publike, punëdhënës, sindikata, organizata ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile.
U trajtuan procedurat e punësimit, kontrollin e kushteve të punës, trajtimin e barabartë dhe rrugët e ankimit, parandalimin e shfrytëzimit në punë dhe përgjegjësinë e markave për kushtet e punës në zinxhirët e furnizimit.
Synim është forcimi i dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet aktorëve përkatës, me qëllim garantimin e punës së denjë dhe respektimin e të drejtave për të gjithë punonjësit, pavarësisht origjinës apo shtetësisë./et
