Last Updated on 02/08/2026 by EL
Koreja e Jugut ka regjistruar temperaturën më të lartë që prej nisjes së matjeve meteorologjike në vitin 1904. Në qytetin Yangsan, në juglindje të vendit, temperaturat arritën në 42.5°C, njoftoi Agjencia Meteorologjike Koreane (KMA). Sipas KMA-së, temperatura rekord u regjistrua në orën 13:26 sipas kohës lokale. Yangsan, qytet pranë portit të Busanit, ka përjetuar për pesë ditë radhazi temperatura mbi 40°C.
Më shumë se 20 zona të vendit janë aktualisht nën alarm maksimal për temperatura të larta, ndërsa rreth 157 qytete janë në gjendje gatishmërie për valë të nxehti. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin aktivitetet në natyrë, përfshirë punën fizike dhe aktivitetet sportive, gjatë orëve me temperaturat më të larta. Ky nivel maksimal alarmi për valët e të nxehtit është krijuar këtë vit për të përballuar ngjarjet ekstreme të motit të lidhura me ndryshimet klimatike dhe u aktivizua për herë të parë më 12 korrik.
Sipas sistemit të ri, alarmi maksimal vendoset kur temperaturat e ndjera arrijnë të paktën 35°C për dy ditë radhazi dhe parashikohen temperatura mbi 39°C në ditët pasuese.
Agjencia Meteorologjike Koreane ka paralajmëruar se valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta. Numri mesatar vjetor i ditëve me temperatura ekstreme është rritur nga rreth 8 ditë në vit gjatë viteve 1970, në rreth 19 ditë në vit gjatë pesë viteve të fundit./et
