Më shumë se 2 mijë e 500 persona kanë humbur jetën nga epidemia e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos. Sipas koordinatorit të lartë të Kombeve të Bashkuara për Ebolën, Julien Harneis, shpërthimi po përhapet me ritme eksponenciale në një zonë më të madhe se Franca.
“Gjatë tre muajve të fundit kanë vdekur 2 mijë e 500 persona dhe gjysma e tyre vetëm në 20 ditët e fundit”, deklaroi Harneis nga qyteti verilindor i Bunias.
Ai bëri thirrje për më shumë ndihmë ndërkombëtare, duke paralajmëruar se fondet aktuale për përballimin e epidemisë pritet të shterojnë brenda pak javësh.
Situata po vështirësohet edhe më tej për shkak të sulmeve ndaj ekipeve të ndihmës. Banorë të frikësuar dhe të zemëruar nga përhapja e sëmundjes kanë sulmuar punonjësit, ambulancat dhe qendrat shëndetësore.
Edhe personeli mjekësor nuk ka mbetur i paprekur. Rreth 160 punonjës të shëndetësisë janë infektuar me Ebola, ndërsa 43 prej tyre kanë humbur jetën.
Epidemia e 17-të e Ebolës në Kongo u bë në fund të korrikut më e madhja në historinë e vendit për nga numri i rasteve, duke tejkaluar shpërthimin e viteve 2018–2020.
Kjo epidemi shkaktohet nga lloji Bundibugyo i virusit Ebola, për të cilin aktualisht nuk ka vaksina apo trajtime të miratuara.
Sipas Kombeve të Bashkuara, shkurtimet e ndihmave gjatë viteve të fundit kanë dobësuar kapacitetet e organizatave humanitare. Probleme të tjera lidhen edhe me pagesat e personave të angazhuar në luftën kundër epidemisë.
Autoritetet dhe organizatat humanitare paralajmërojnë se pa mbështetje të re financiare dhe masa më të forta, përhapja e sëmundjes mund të përkeqësohet më tej./mxh
