Në Australi ka nisur vaksinimi i pinguinëve të vegjël kundër gripit të shpendëve H5N1. Punonjësit e Phillip Island Nature Parks nisën të mërkurën, më 19 gusht, vaksinimin e pinguinëve në ishullin Phillip, një prej atraksioneve më të njohura turistike të zonës.
Rangerët po i peshojnë dhe skanojnë pinguinët përpara vaksinimit. Pas injektimit, ata do të pajisen edhe me mikroçip dhe do t’u bëhet kontroll i plotë shëndetësor.
Sipas autoriteteve të parkut, është dhënë miratimi për vaksinimin e deri në 5 mijë pinguinëve të vegjël në zonën e Penguin Parade, si dhe deri në 800 të tjerëve në St Kilda.
Pinguinët do të marrin fillimisht një dozë vaksine, ndërsa doza përforcuese do të jepet rreth 21 deri në 28 ditë më vonë.
Fushata vjen në një kohë kur Australia po përballet me përhapjen e gripit të shpendëve. Javën e kaluar vendi raportoi ngordhjet e para masive të shpendëve detarë nga gripi i shpendëve, duke shënuar një përshkallëzim të situatës.
Virusi ishte zbuluar fillimisht te shpendët migratorë, përpara se të përhapej te specie të tjera vendase gjatë muajit të kaluar.
Australia ishte kontinenti i fundit ku u raportua gripi i shpendëve, ndërsa virusi ishte zbuluar që në fund të vitit 2025 në territorin sub-antarktik të Heard Island.
Autoritetet shpresojnë që vaksinimi të ndihmojë në mbrojtjen e popullatës së pinguinëve të vegjël, një prej simboleve më të njohura të faunës së Australisë./mxh
