Last Updated on 04/06/2026 by Anisa
Fotografitë e dy Italive që po largohen nga njëra-tjetra: indeksi i pabarazisë po rritet. Dhe debati mbi taksën e pasurisë rindizet.
Pasuria mesatare e familjeve italiane po rritet, por hendeku ekonomik po zgjerohet gjithnjë e më shumë. Në tremujorin e katërt të vitit 2025, pasuria neto për familje — që përfshin pronat e paluajtshme dhe asetet financiare minus borxhet — arriti në 453 mijë euro, krahasuar me 431 mijë euro në vitin 2024. Të dhënat vijnë nga raporti më i fundit i Bankës së Italisë mbi shpërndarjen e pasurisë së familjeve. Në pamje të parë, shifrat duken pozitive.
Por pas kësaj mesatareje fshihen dy realitete të ndryshme të Italisë, që duket se nuk komunikojnë me njëra-tjetrën. 10% e familjeve më të pasura zotërojnë 60.6% të gjithë pasurisë neto të vendit, ndërsa gjysma më e varfër e popullsisë ndan vetëm 7.2% të saj. Pabarazia, e matur përmes indeksit Gini, është rritur nga 71.5 në vitin 2024 në 72.2 në vitin 2025 — jo një kërcim drastik, por një trend që Banka e Italisë e përshkruan si një “rritje të lehtë”.
Hendeku nuk lidhet vetëm me shifrat absolute, por edhe me cilësinë e aseteve që zotërohen. Familjet në shtresat më të ulëta mbajnë mbi 90% të pasurisë së tyre në prona të paluajtshme dhe depozita bankare — aktive më pak likuide, të vështira për t’u kthyer shpejt në para dhe më të ekspozuara ndaj inflacionit. Ndërsa familjet më të pasura kanë portofol më të diversifikuar: instrumente financiare, letra me vlerë dhe investime. Dy mënyra të ndryshme për t’u përfshirë në ekonominë reale, që me kalimin e kohës priren të largohen edhe më shumë nga njëra-tjetra.
Publikimi i këtyre të dhënave ka rikthyer debatin për një taksë mbi pasurinë. Elly Schlein dhe Maurizio Landini janë shprehur tashmë pro taksimit të pasurive të mëdha.
Ndërkohë, Andrea Orlando, ish-ministër i Punës dhe drejtues i politikave industriale në Partinë Demokratike italiane, e pranoi ekzistencën e problemit, por theksoi se zgjidhja më efektive do të ishte në nivel europian.
“Problemi ekziston, por një përgjigje më efikase do të ishte në nivel europian, pasi një taksë vetëm në Itali mund të krijojë shtrembërime,” tha ai, duke shtuar se tema nuk duhet konsideruar tabu as në kontekstin kombëtar.
Nga ana tjetër, Forza Italia e kundërshton kategorikisht idenë. Zv/sekretarja e partisë, Deborah Bergamini, e cilësoi taksimin e pasurisë si një barrë fiskale të papajtueshme me historinë e forcës politike dhe me vizionin e nisur nga Silvio Berlusconi.
Edhe lideri i Italia Viva, Matteo Renzi, u shpreh kundër.
“Taksa mbi pasurinë funksionon mirë në rrjetet sociale, por jo në realitet. Nëse Italia rrit taksat për të pasurit, të pasurit do të largohen. Dhe kështu do të kemi më pak të ardhura për shëndetësinë, arsimin dhe sigurinë,” deklaroi Renzi.
Sipas tij, objektivi real duhet të jetë “që të varfrit të paguajnë më pak, jo që të pasurit të paguajnë më shumë”./a.d
