Last Updated on 11/11/2026 by Monika
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj gjatë mbledhjes së Këshillit të Investimeve është shprehur se bizneset shqiptare do të përshtaten me kërkesat europiane sa i takon shërbimeve, konkurrencës dhe tregut të lirë.
Sipas Ibrahimajt, përafrimi me standardet e BE-së është kusht në rrugën europiane të Shqipërisë. Sipas ministres, sipërmarrjet do të duhet të fillojnë sa më shpejt zbatimin e legjislacioneve të reja.
Ibrahimaj deklaroi se mbështetja për modernizimin e ndërmarrjeve është përfshirë në programin “Dyfisho Sipërmarrjen tënde”, për të lehtësuar barrën e bizneseve në formën e bonuseve dhe granteve.
Njoftimi i plotë i ministres Ibrahimaj:
“Në mbledhjen e Këshillit të Investimeve diskutuam me përfaqësuesit e biznesit dhe partnerët ndërkombëtarë për përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përgatitjen e sipërmarrjeve shqiptare për standardet e Bashkimit Europian.
Në qendër të diskutimit ishin lehtësimi i aktivitetit të bizneseve, reforma e inspektimeve dhe mbështetja për investimet në cilësi, certifikim dhe modernizim, veçanërisht në sektorin e turizmit.
Nga Dhjetorit do të rinisim procesin e derregullimit, përmes tryezave të drejtpërdrejta me bizneset, për të identifikuar dhe hequr pengesat burokratike, thjeshtuar procedurat dhe ulur kohën e kostot e shërbimeve publike.
Diskutuam gjithashtu projektligjin e ri “Për investimet”, aktualisht në konsultim publik, që parashikon rregulla më të qarta, procedura të thjeshtuara dhe siguri për investitorët vendas dhe të huaj.
Dialogu me biznesin është pjesë e rëndësishme e punës sonë për të adresuar problematikat konkrete të sipërmarrjes dhe për t’i kthyer propozimet e saj në masa konkrete”./mxh
