Last Updated on 30/10/2026 by Monika
Pasditen e kësaj të premteje po zhvillohet tryeza e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve.
Fokusi i diskutimeve lidhet me ngjarjet e javëve të fundit me protesta në vend, që përfshinë edhe pjesëmarrjen e të miturve.
Të pranishëm në tryezë janë disa nga ministrat e kabinetit, ndërsa mbledhja drejtohet nga kryeministri Edi Rama.
Në takim po diskutohet nevoja e një plani të përbashkët veprimi me Shoqërinë Civile dhe institucionet partnere ndërkombëtare.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, theksoi rolin e mekanizmave ligjorë për mbrojtjen e fëmijëve.
“Le ta shohim këtë takim jo vetëm si një reagim ndaj situatës së ditëve të fundit, por si një mundësi për të identifikuar boshllëqet, për të përmirësuar mekanizmat dhe për të forcuar përgjegjësinë e përbvashkët.”,-tha Spahiu.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, tha se qeveria duhet të sigurojë mjedis të sigurt për fëmijët.
“Janë familje konkrete, me ndjeshmëri konkrete, me nevojat dhe botën e tyre. Përgjegjësia jonë është që të sigurohemi që çdo fëmijë të ketë një mjedis ku të ndihet i sigurt, i dëgjuar dhe i mbështetur”,-deklaroi Kumbaro.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se Kodi i të Miturve duhet të jetë më gjithëpërfshirës, me fokus te interesi më i lartë i fëmijëve.
“Kodi i të miturve ta ketë edhe përgjegjësinë ligjore e individuale, por edhe të mos humbasë besimin se mbron të drejtat e fëmijëve. Ky të jetë mendimi i përbashkët i të gjithëve”,-tha Gogu.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, tha se sot, më shumë se kurrë, duhet forcuar mesazhi për shmangien nga dhuna të fëmijëve.
“Sot kemi edhe më shumë nevojë të përsërisim me forcë mesazhin që fëmijët nuk e kanë vendin mes dhunës e kaosit. Mbrojtja dhe siguria e fëmijëve janë përgjegjësi e pamoheshme e të gjithëve. Të udhëhiqemi nga interesi më i lartë i fëmijëve”,-u shpreh Demo./mxh
