Nga Andy Beckett
Çdo rritje e buxhetit ushtarak do të paguhet me shkurtime diku tjetër. Kryeministri i ri i Britanisë duhet të ketë kujdes që të mos i shitet një “mall me hile”.
Për shumë votues, politikanë dhe gazetarë britanikë, shpenzimet publike kanë pasur një reputacion të keq që nga fundi i viteve 1970, kur qeveria e Margaret Thatcher nisi fushatën e saj të gjatë për të vënë nën kontroll atë që e konsideronte një shtet të fryrë. Sipas këtij këndvështrimi, sektori publik shpërdoron para, financon projekte të panevojshme ose të vjetruara dhe prodhon një mori termash burokratike e justifikimesh për ekzistencën e vet, ndërkohë që sjell gjithnjë e më pak përfitime shoqërore ose ekonomike.
Sipas kësaj logjike, presioni i vazhdueshëm – si nga sektori publik, ashtu edhe nga ai privat – për më shumë fonde nga çdo ministër e ka bërë pothuajse të pamundur detyrën e kryeministrit dhe ka çuar taksat e borxhin publik në nivele të papranueshme. Prandaj, shteti duhet të rimendohet rrënjësisht, çka nënkupton se edhe ndjenja e tij e “të drejtës për të kërkuar më shumë para” duhet të tkurret.
Megjithatë, gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, ndërsa kërkesa për më shumë kursime buxhetore është bërë refreni i zakonshëm në Parlament dhe në media – nga ideologët e djathtë deri te realistët e vetëshpallur të qendrës së majtë – një pjesë e kushtueshme e sektorit publik ka mbetur e paprekshme: mbrojtja.
Megjithëse buxheti britanik i mbrojtjes vazhdon të jetë ndër dhjetë më të mëdhenjtë në botë, dëgjohet vazhdimisht se ai është “ulur deri në kockë” dhe ka nevojë urgjente për një rritje të madhe.
Këtë argument nuk e përdorin vetëm ministrat e Mbrojtjes, institutet studimore të mbrojtjes, gazetarët që mbulojnë çështjet ushtarake, lobuesit e industrisë së armëve, sindikatat me anëtarë në këtë sektor apo deputetët me ose pa përvojë ushtarake. E përsërit edhe vetë kreu i Forcave të Armatosura britanike, Shefi i Shtabit të Mbrojtjes, në atë që tashmë është kthyer në një ritual publik.
Muajin e kaluar, komandanti aktual, Marshalli i Ajrit Richard Knighton, i tha një komisioni të Dhomës së Lordëve se, “pa ndryshime në marrëveshjen aktuale” – një mënyrë elegante për të kërkuar më shumë para – Forcat e Armatosura do të detyroheshin të reduktonin aktivitetet operative, stërvitjet dhe ushtrimet ushtarake.
Si zakonisht, paralajmërime të tilla nga figura të larta ushtarake, aktive apo në pension, morën mbulim të gjerë dhe pothuajse pa asnjë vënie në dyshim. Nëse një gjeneral me uniformë të lartë thotë se i duhen më shumë fonde sepse bota është bërë më e rrezikshme, shumë britanikë – përfshirë edhe kryeministrin në largim, Keir Starmer, i cili sapo ka shpallur një plan të ri më bujar investimesh për mbrojtjen – priren ta besojnë.
Por a duhet ta bëjnë?
Një problem i dukshëm, por rrallë i diskutuar, është se qytetarët e zakonshëm nuk kanë qasje në shumicën e informacionit ushtarak mbi gjendjen reale të forcave të armatosura apo mbi kërcënimet ndaj vendit, sepse ai është i klasifikuar. Për këtë arsye, deklaratat e ushtrisë duhet të pranohen kryesisht mbi bazën e besimit, shumë më tepër sesa, për shembull, pretendimet për nevojën e rritjes së fondeve për Shërbimin Kombëtar Shëndetësor (NHS).
Shumica e britanikëve kanë përvojë personale me NHS-në, ndërsa ushtria mbetet një botë e mbyllur, shpesh edhe për familjarët e vetë ushtarakëve. Babai im ishte ushtar gjatë gjithë jetës së tij profesionale, por nuk mund të më fliste për pjesën më të madhe të punës që bënte.
Në një demokraci, ku pritet të ketë transparencë mbi mënyrën se si shpenzohen taksat e qytetarëve, mungesa e llogaridhënies nga ana e ushtrisë është një problem që mund vetëm të menaxhohet, por jo të zgjidhet plotësisht.
E njëjta gjë vlen edhe për pozitën e veçantë të Forcave të Armatosura në raport me politikën. Ato janë institucionet shtetërore më të armatosura dhe besnikëria e tyre i kushtohet monarkut, jo qeverisë së zgjedhur, qoftë përmes betimit, qoftë si parim kushtetues.
Sa herë që politikanët britanikë kanë guxuar të vënë në diskutim privilegjet e ushtrisë – si Tony Benn në fillim të viteve 1980 apo Jeremy Corbyn gjatë drejtimit të Partisë Laburiste – figura ushtarake, herë me emër e herë në mënyrë anonime, kanë lënë të kuptohet se ishte më mirë të tërhiqeshin.
Sot është e lehtë të gjesh arsye pse politikanët duhet t’u besojnë gjeneralëve: pushtimi rus i Krimesë dhe Ukrainës, dobësimi i mbështetjes amerikane për Evropën dhe rritja e fuqisë ushtarake të Kinës.
Megjithatë, asnjë prej këtyre zhvillimeve nuk do të thotë domosdoshmërisht se Britania do të përfshihet së shpejti në një luftë për vetëmbrojtje. Përkundrazi, ato kanë krijuar një atmosferë kërcënuese që i shërben lobit ushtarak dhe pesimizmit të shumë politikanëve e gazetarëve.
Andy Burnham nuk duket nga natyra një pesimist. Megjithatë, kryeministria e tij nuk pritet të largohet shumë nga narrativa aktuale militariste.
“Rritja e sigurisë sonë kombëtare, në çdo kuptim, do të jetë prioriteti im i parë”, shkroi ai javën e kaluar në The Times.
Por ai shtoi gjithashtu:
“Për projektet tona më të mëdha të mbrojtjes dua më shumë transparencë dhe llogaridhënie, për të parandaluar që tejkalimet e kostove dhe vonesat të dalin jashtë kontrollit.”
Në vitin 2022, Partia Laburiste publikoi një dosje mbi “shpërdorimin në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë viteve 2010–2021”, ku arrihej në përfundimin se:
“Ministria e Mbrojtjes është një departament që dështon në mënyrë unike. Asnjë nga 36 projektet e saj madhore nuk është realizuar në kohë dhe brenda buxhetit.”
Planifikimi afatgjatë ushtarak është natyrisht i vështirë. Teknologjitë, taktikat dhe vetë natyra e luftës mund të ndryshojnë papritur, siç e tregoi dominimi i papritur i dronëve të lirë në fushëbetejë. Prandaj, është e pashmangshme që disa programe të dështojnë ose të ndryshojnë gjatë rrugës.
Por të njëjtat pasiguri ekzistojnë edhe në shëndetësi, ku zhvillimet mjekësore dhe nevojat e ardhshme janë po aq të paparashikueshme. Megjithatë, diskutimi publik është krejt ndryshe.
“Duket se kemi arritur kufirin e asaj që mund të përballojmë financiarisht”, deklaroi vitin e kaluar drejtuesi i NHS England, Jim Mackey. “Tani çështja është të ofrojmë më shumë vlerë për çdo paund të shpenzuar.”
Është pothuajse e pamundur të imagjinohet që kreu i Forcave të Armatosura – apo mbështetësit e tij në media dhe politikë – të shprehen ndonjëherë në këtë mënyrë.
Vendosja e një ekuilibri më të madh mes ushtrisë dhe shoqërisë civile nuk është një projekt luksi për të majtët, pacifistët apo kritikët e marrëdhënies së veçantë të Britanisë me ushtrinë.
Nëse qeveria e Starmerit dhe pasardhësi i saj vazhdojnë të ridrejtojnë shpenzimet publike – duke shkurtuar shërbime të tjera për të financuar mbrojtjen – ushtria britanike, me shpenzimet e saj të tepruara, mund të imponojë një kosto të rëndë sociale dhe politike, duke dëmtuar që në fillim mandatin e Andy Burnham.
Referencat e Burnham për joefikasitetin në shpenzimet ushtarake tregojnë se ai e kupton deri diku këtë rrezik.
Megjithatë, ai shkroi gjithashtu se industria ushtarake mund të luajë një rol qendror në “rigjenerimin dhe riindustrializimin e vendit”.
Historia britanike pas Luftës së Dytë Botërore sugjeron të kundërtën: ishuj të vegjël vendesh pune të subvencionuara nga industria e mbrojtj
es, të rrethuar nga zona të tëra fabrikash të mbyllura.
Lufta – dhe përgatitja për luftë – është shpesh një lojë blofi. Nuk duhet besuar gjithçka që thonë lojtarët e saj.
Përgatiti: L.Veizi
