Last Updated on 12/09/2026 by EL
Instituti i Shëndetit Publik njofton se, duke nisur nga muaji shtator, kontrolli bazë shëndetësor do të ofrohet falas për të gjithë qytetarët mbi 35 vjeç. Drejtoresha e ISHP-së, Dorina Toçi, thekson se zgjerimi i programit synon parandalimin dhe evidentimin e problemeve shëndetësore përpara shfaqjes së simptomave.
“Programi i kontrollit të shëndetit bazë vjen me një risi. Që prej muajit shtator, programi i Check Up-it ofrohet falas për çdo person të moshës 35 vjeç e lart. Vlera e tij qëndron te parandalimi dhe zbulimi i hershëm i problemeve shëndetësore, pa pasur ende asnjë simptomë. Programi i Check Up-it nga pikëmpaja e Shëndetit Publik do të ofrojë të dhëna që do të na japin një pasqyrë të plotë të situatës shëndetësore mbi faktorët e rrezikut të popullatës që kryen Check Up-in. Mbi këto dhëna do të orientohen programet e reja dhe politikat e reja shëndetësore”, shprehet Toçi.
Toçi shton se parandalimi dhe zbulimi i hershëm i problemeve shëndetësore ndihmojnë në zgjatjen e jetës dhe përmirësimin e cilësisë së saj./et
