Last Updated on 14/11/2026 by Monika
Për herë të dytë brenda javës, studentët janë mbledhur në një protestë kombëtare, duke zhvilluar një marshim në disa zona të Tiranës.
Demokratët nuk u shfaqën në protestë. Pas refuzimit të studentëve dhe incidenteve të regjistruara gjatë tubimit të javës së kaluar, Sali Berisha nuk thirri një protestë në mbështetje të tyre.
Qëndrimi para Ministrisë së Arsimit zgjati pak. Pas djegies së koshave të mbeturinave, protestuesit marshuan drejt Zogut të Zi, ku u bllokua qarkullimi i automjeteve.
Marshimi vijoi drejt zonës së 21 Dhjetorit. Gjatë kalimit, protestuesit hoqën kangjellat nga trotuaret dhe i vendosën në mes të rrugës, ndërsa u vunë flakën edhe disa tabelave reklamuese.
Efektivët e policisë shoqëruan marshimin, duke ruajtur distancën nga protestuesit.
Më pas, turma vijoi drejt Unazës së Vogël dhe u ndal pranë Kryeministrisë, ku u regjistruan edhe tensione në afërsi të Kryesisë së Kuvendit.
Në terren u angazhuan forca të shumta policie, të cilat, përmes megafonit, u kërkuan protestuesve të lironin rrugën dhe të mos pengonin qarkullimin e automjeteve.
Për mbarëvajtjen e protestës dhe garantimin e rendit e të sigurisë, Policia angazhoi rreth 700 efektivë.
Gjatë tubimit, studentët përcollën edhe mesazhin “Ne nuk harrojmë”, duke vijuar protestën e tyre./mxh
