Last Updated on 14/11/2026 by Monika
Presidenti amerikan, Donald Trump ka sinjalizuar mundësinë e pezullimit të sulmeve të mëtejshme ndaj Iranit, nëse Teherani dhe rebelët Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, nuk ndërmarrin provokime të reja ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas një raportimi të agjencisë së lajmeve “Reuters”, Trump ua ka bërë të ditur këtë qëndrim këshilltarëve të tij të lartë gjatë ditëve të fundit, duke lënë të kuptohet se administrata amerikane, po shqyrton mundësinë e moskryerjes së sulmeve të tjera në shkallë të gjerë.
Vendimi vjen në një moment kur presidenti amerikan ka dhënë sinjale të ndryshme lidhur me ecurinë e konfliktit.
Nga njëra anë, ai ka kërcënuar me sulme të reja ushtarake, ndërsa nga ana tjetër ka folur për mundësinë e kufizimit të operacioneve dhe përfundimit të luftës.
Sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve amerikanë, Trump ende nuk ka përcaktuar se si synon t’i japë fund konfliktit, të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nisën së bashku me Izraelin në shkurt.
Në takimet me këshilltarët e sigurisë kombëtare dhe pas informimeve nga agjencitë e inteligjencës, presidenti ka shprehur gatishmërinë, për të mos autorizuar sulme të tjera, nëse nuk ka veprime të reja provokuese nga pala iraniane.
Trump ka treguar gjithashtu mirëkuptim për qëndrimin e aleatëve amerikanë në Lindjen e Mesme, të cilët i kanë kërkuar të mos rikthehet në një luftë të plotë.
Në një intervistë të fundit me komentatorin sportiv Stephen A. Smith, Trump deklaroi se mund ta përfundonte konfliktin menjëherë, por se po merrte parasysh kërkesat e vendeve që SHBA-ja synon të mbrojë.
“Unë mund t’i jap fund menjëherë, por me kërkesë të vendeve që po përpiqem të mbroj, po zgjedhim një rrugë pak më të gjatë dhe më të matur”, u shpreh ai.
Megjithatë, mundësia e rifillimit të sulmeve nuk është përjashtuar.
Sipas burimeve të “Reuters”, një nga opsionet që po shqyrtohet është goditja e objekteve bërthamore nëntokësore të Iranit, megjithëse mbetet e paqartë nëse sulme të tjera do të arrinin rezultate të reja, pasi këto objekte janë goditur më parë nga SHBA-ja.
Vlerësimet e agjencive amerikane të inteligjencës sugjerojnë se sulmet e reja, nuk do të ndryshonin ndjeshëm qëndrimin negociues të Teheranit.
Ndërkohë, SHBA-ja po përforcon praninë e saj ushtarake në rajon.
Sipas burimeve të cituara nga “Reuters”, një aeroplanmbajtëse e tretë amerikane pritet të mbërrijë në Lindjen e Mesme gjatë ditëve në vijim.
Fillimisht, ajo parashikohet të zëvendësojë njërën prej dy anijeve, që ndodhen aktualisht në rajon, por në rast nevoje të tria mund të qëndrojnë në zonë.
Nga ana tjetër, zyrtarë izraelitë vijojnë t’i kërkojnë administratës amerikane ndërmarrjen e një fushate tjetër ushtarake kundër Iranit.
Trump ka deklaruar se SHBA-ja ka arritur tashmë objektivat që mund të realizonte përmes negociatave me Teheranin, por nuk ka sqaruar nëse do të urdhërojë rifillimin e sulmeve.
Në një reagim në rrjetet sociale, ai shkroi se Uashingtoni nuk ka nevojë për një marrëveshje me Iranin, duke pretenduar se SHBA-ja ka tashmë ndikim të konsiderueshëm mbi ekonominë iraniane dhe Ngushticën e Hormuzit.
Situata mbetet e paqartë, ndërsa administrata amerikane përballet me presionin e aleatëve rajonalë, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit./mxh
