Last Updated on 15/07/2026 by Kesjana
Shqipëria mbylli me sukses tre kapitujt e parë të Integrimit në Konferencën e IX Ndërqeveritare Shqipëri – BE.
“Mbyllja e negociatave për Kapitullin 25 ‘Shkenca dhe Kërkimi Shkencor’ dhe Kapitullin 26 ‘Arsimi dhe Kultura’, përpos të qenit një sukses teknik në procesin e integrimit, është mbi të gjitha një dëshmi se kur vizioni shoqërohet me punë intensive, rezultatet vijnë.”
Kështu u shpreh Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, pjesë e delegacionit të kryesuar nga kryeministri Edi Rama pas përfundimit me sukses të negociatave për dy kapitujt, duke e cilësuar këtë një moment të rëndësishëm për rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Ministrja theksoi se kjo arritje është fryt i një procesi të gjatë, me reforma, punë intensive dhe angazhim të vazhdueshëm të ekipeve të Ministrisë së Arsimit, duke nënvizuar se arsimi ishte fusha që i hapi rrugën mbylljes së kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian.
Në mesazhin e saj, Kumbaro vlerësoi mbështetjen dhe vlerësimin e dhënë nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos duke e konsideruar atë një konfirmim të progresit të Shqipërisë në fushën e arsimit.
“Faleminderit Komisioneres Marta Kos, që në arritjet e Ministrisë së Arsimit evidentoi si sukses krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, krah shumë nismash e reformash të kryera.”
Kumbaro falenderoi edhe paardhëset e saj ne këtë detyrë për punën dhe angazhimin në këtë proces.
“Mirënjohje për të gjitha ekipet e Arsimit që kanë negociuar e kontribuar në këtë proces, si dhe për katër koleget e mia ministre, Lindita Nikolla, Besa Shahini, Evis Kushi dhe Ogerta Manastirliu, që ma bënë shumë më të lehtë këtë etapë të fundit, por edhe për çdo koleg që kontribuoi në këtë rrugëtim, shpesh larg vëmendjes publike, por gjithmonë me bindjen se puna për arsimin është investimi më i mirë për Shqipërinë europiane”, u shpreh Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro./ Kb
