The Economist vlerëson se si kanë ndryshuar luftërat vitet e fundit
Nuk ka qenë kurrë kohë e mirë për të qenë këmbësor në luftë. Por kushtet e sotme janë veçanërisht të rënda. Në “zonën e vdekjes” të krijuar nga dronët e të dyja palëve në Ukrainën lindore, rreziku për ta gjetur veten brenda një videoloje vdekjeprurëse është i vazhdueshëm.
Në shkurt, ushtarët ukrainas që përpiqeshin t’u bashkoheshin pak shokëve të tyre që ndodheshin ende në Myrnohrad, një qytet në Donetsk, e dinin se dronët rusë të drejtuar nga pilotë të fshehur mirë do ta bënin të pamundur lëvizjen me automjete. Ata duhej të depërtonin me kujdes nëpër pyje. Kjo mund të zgjaste javë të tëra. Ata mund të mos dilnin prej andej për muaj të tërë.
Pasojat mund të zgjasin me vite. Ushtarët që kthehen nga fronti i mbajnë dritaret të mbuluara dhe dritat të zbehta edhe kur ndodhen qindra kilometra larg zonës së luftës. Të bllokuar në atë që psikologët e quajnë hipervigjilencë dhe hiperaktivizim, zhurma e një droni mund të shkaktojë frikë dhe ndjenjë pafuqie. Ata hedhin sytë lart ndërsa ecin.
Ndërsa beteja për Myrnohrad zvarritej, avionët amerikanë dhe izraelitë, të përfshirë në luftën tjetër të madhe të momentit, po bombardonin Iranin pothuajse pa pengesë.
Pilotët e tyre kishin gjithçka që u nevojitej për të goditur, për të vlerësuar dëmet dhe për të goditur sërish, duke përdorur të gjithë sensorët që forcat ushtarake më të avancuara në botë mund të vinin në dispozicion: sensorë infra të kuq dhe radarë në bord, mbështetje nga dronë pranë objektivit dhe radarë më larg, mbikëqyrje satelitore e shumë të tjera. Izraeli madje depërtoi në kamerat e trafikut në Teheran për të gjurmuar lëvizjet e Ajatollah Ali Khameneit, udhëheqësit suprem të vendit, ndërsa afrohej për ta vrarë.
Dy luftëra krejt të ndryshme në mënyrën se si zhvillohen. Por në aspekte të tjera, çuditërisht të ngjashme. Si lufta në Ukrainë, ashtu edhe lufta kundër Iranit po formësohen nga teknologji që ka sjellë një transparencë të re në vendet dhe situatat ku luftojnë ushtritë.
Kjo transparencë nuk është e plotë. Ajo është gjithmonë e pjesshme, e ndërprerë dhe gjithmonë e sfidueshme. Por gjatë tetë viteve që nga koha kur korrespondenti la botën e instituteve kërkimore për t’u bërë redaktor i mbrojtjes në The Economist, post që tani po e lë për një sfidë të re, ky ka qenë trendi teknologjik përcaktues i luftës moderne.
Ka edhe ngjashmëri të tjera mes Ukrainës dhe Iranit. Të dyja janë luftëra të nisura nga udhëheqës të fuqive të mëdha, të cilët duket se besonin se fitorja do të ishte e lehtë. Të dyja janë zhvilluar në mënyra që ata nuk i kishin parashikuar, duke u shndërruar në diçka që i ngjan një ngërçi. Një ngërç ku, si për Rusinë ashtu edhe për Amerikën, mungesa e fitores po ngjan gjithnjë e më shumë me humbje.
A po e bëjnë ndryshimet teknologjike më të lehtë rolin e mbrojtësit? Apo po i nxisin sistematikisht fuqitë e mëdha të nisin luftëra që nuk mund t’i fitojnë? Apo është thjesht një rast i zakonshëm, ku fuqitë e mëdha përfshihen në luftëra të gabuara që pasqyrojnë teknologjitë mbizotëruese të kohës?
Lufta si industri
Pyetja ka rëndësi sepse lufta është bërë një lloj industrie në lulëzim. Programi i të Dhënave për Konfliktet në Uppsala identifikoi 65 konflikte aktive në vitin 2025 ku të paktën njëra palë ishte shtet. Sipas përkufizimit të tij, këto janë konflikte që shkaktojnë të paktën 25 viktima në luftime brenda një viti. Ky është niveli më i lartë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1946.
Mes tyre kishte tetë luftëra të klasifikuara si përplasje mes shtetesh, dy prej të cilave me më shumë se 1,000 viktima në vit. Instituti për Kërkime të Paqes në Oslo identifikon një prirje po aq shqetësuese.
“Pavarësisht rënies së fortë të viktimave të lidhura me luftime nga viti 2022 në 2023, – vëren instituti, – katër vitet e fundit kanë qenë periudha më e dhunshme që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.
Transparenca taktike mbështetet në tre elemente: sensorë më të përparuar dhe në numër më të madh, armë me goditje të saktë dhe rrjete që i përcjellin të dhënat e përdorshme nga sensorët te sistemet që zgjedhin dhe godasin objektivat.
Reduktimi i gjithë kësaj vetëm te dronët do të ishte thjeshtim i tepruar. Ekzistojnë shumë lloje sensorësh të qëndrueshëm që mund të shpërndahen në fushëbetejë ose të montohen tek ushtarët dhe automjetet që lëvizin në të.
Ka edhe lloje të tjera municionesh inteligjente, pa llogaritur municionet tradicionale, të cilat mund të përdoren në mënyrë të zgjuar. Por asnjë prej tyre nuk ka vlerë pa rrjetet teknike dhe njerëzore që lidhin sensorët me armët goditëse, duke mundësuar analizën dhe vendimmarrjen gjatë gjithë procesit.
Droni mund të kryejë dy role njëkohësisht: të shohë objektivin dhe ta godasë atë, i drejtuar nga një operator i vetëm. Kjo e bën të lehtë ta shohësh gjithë kompleksitetin e luftës moderne si të përmbledhur në një pajisje të vetme.
Por ky është një keqkuptim. Avantazhi nuk qëndron vetëm tek arma, por te sistemi që e përdor atë më mirë. Në të kaluarën, ky lloj keqkuptimi i ka çuar strategët ushtarakë në përfundime të gabuara. Mund të ndodhë sërish.
Simboli i dronit
Megjithatë, droni është pa dyshim një simbol i fuqishëm i këtij ndryshimi. Ai rri pezull në qiell si roje; ndjek objektivin me një afërsi të frikshme. Ai mishëron mënyrën se si kjo luftë e re mund të duket njëkohësisht e zhvendosur nga vendi konkret dhe tepër lokale; si mund të jetë kudo dhe, në të njëjtën kohë, në një pikë shumë të caktuar. Si mund të kontrollohet nga larg, por të të shfaqet përballë, këtu dhe tani.
Në të njëjtën kohë që duket i çuditshëm dhe i ri, droni është edhe çuditërisht i zakonshëm. Prodhimi i tij mbështetet në zinxhirë furnizimi shumë më të ngjashëm me ata të elektronikës së konsumit sesa me zinxhirët që prodhojnë tanke, raketa të avancuara apo predha artilerie. Kjo i mundëson teknologjisë të evoluojë me shpejtësi, përmes një cikli të pandërprerë risish dhe kundërmasash.
“Përditëson kodin çdo pak ditë”, thotë Air Vice-Marshall Simon Strasdin, i cili drejton Qendrën e Integruar të Luftës në Britani. “Brenda gjashtë javësh, zakonisht duhet të bësh një përditësim më të madh të softuerit. Dhe brenda gjashtë muajsh, me shumë gjasa duhet të mendosh edhe për një ndryshim në pajisje.”
Breza të rinj teknologjie mund të shfaqen dhe të zhduken pa u zhvendosur vijat e frontit më shumë se disa metra.
Amerika nisi të përdorte dronë, fillimisht Predator dhe më pas Reaper, për të vrarë armiqtë e saj vetëm pak javë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Por droni që ndryshoi lojën për vendet që nuk janë superfuqi ishte Bayraktar TB2, i projektuar dhe prodhuar në Turqi.
Dalja e parë e rëndësishme në skenë e TB2 ishte në vitin 2019, kur ndihmoi në frenimin e avancimit të Ushtrisë Kombëtare Libiane drejt Tripolit. Në vitin 2020, ai demonstroi aftësitë e tij kundër mjeteve të blinduara, fillimisht në Siri dhe më pas në Armeni, duke tërhequr vëmendjen e ushtrive në mbarë botën.
Më pas, në shkurt të vitit 2022, dronët TB2 të Ukrainës luajtën një rol në ndalimin e tankeve ruse që po përparonin drejt Kievit. Suksesi i tyre ishte i pjesshëm, sepse artileria pati rol më të madh, dhe jetëshkurtër. Megjithatë, ndikimi i tyre u shumëfishua nga vlera propagandistike e videove që prodhuan.
Megjithatë, TB2 ishin vetëm dronët e parë me të cilët dy palët do ta çonin luftën në ngërçin e saj të përgjakshëm të sotëm. Në vitin 2022 u shfaqën dronë më të vegjël, më inteligjentë dhe më të vështirë për t’u diktuar.
Deri në vitin 2024, shumë modele kishin hyrë në prodhim masiv. Të kombinuar me artilerinë, fortifikimet, komunikimet satelitore dhe trajnimin e gjerë të operatorëve, ata krijuan një “brez konsumimi” vdekjeprurës, që dikur kishte thellësi prej 5 kilometrash, ndërsa sot shpesh u afrohet 30 kilometrave.
Sot, dronët që fillimisht ishin projektuar për bombardime përdoren nga të dyja palët për të dërguar ushqim dhe ujë, një risi që lehtëson ndjeshëm vështirësitë e jetës së ushtarit.
Të plagosurit transportohen me mjete tokësore pa pilot, të cilat forcat ukrainase i përdorën në më shumë se 24 mijë misione vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2026. Dhe mes dërgesave të ushqimit dhe evakuimeve mjekësore vijnë sulmet.
Dronët e projektuar fillimisht si bombardues tani dërgojnë ushqim dhe ujë në të dyja anët
Çdo ditë, secila palë prodhon mijëra dronë FPV (“first-person view”), të përdorur për të gjuajtur dhe për të vrarë në përballje një më një. Përdorimi i tyre përbën një pjesë të konsiderueshme të 1.1 deri në 1.4 milionë ushtarëve rusë që, sipas vlerësimeve të The Economist, janë vrarë ose plagosur gjatë luftës. Kjo përkthehet në një në çdo 25 burra rusë nën moshën 50 vjeç.
Humbjet e Ukrainës janë më të ulëta, pjesërisht sepse sulmi kushton më shumë sesa mbrojtja dhe pjesërisht sepse Ukraina ka avancuar më tej në zëvendësimin e njerëzve me robotë. Megjithatë, humbjet ukrainase janë proporcionalisht më të larta, duke përfaqësuar një në çdo 16 persona të grupmoshës 18-49 vjeç para luftës.
Disa mendojnë se ky është tashmë modeli i së ardhmes për luftërat ku shtetet synojnë të pushtojnë territor: dy palë të bllokuara pafundësisht nga vrasës të vegjël, të lirë dhe që shohin gjithçka.
Gjenerali Valery Zaluzhny, ambasadori i Ukrainës në Londër dhe ish-komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, thotë se lufta manovruese në shkallë të gjerë, ku ushtritë lëvizin me shpejtësi dhe efekt tronditës, në kontrast me betejat frontale të konsumimit, është tashmë “e paarritshme”. Sipas tij, ajo do të bëhet sërish e mundur vetëm kur luftërat të evoluojnë në përplasje robot kundër roboti me shpejtësinë e makinerive.
Të tjerë e konsiderojnë këtë vizion të ekzagjeruar. Stephen Biddle, profesor në Universitetin Columbia, argumenton se shkalla e revolucionit të sensorëve është “e lehtë për t’u ekzagjeruar”. Ndërsa shfaqen sisteme të reja kundër dronëve, ku lazerët konsiderohen veçanërisht premtues, dhe ndërsa pajisjet e bllokimit elektronik dhe verbimit pengojnë satelitët, balanca mund të ndryshojë sërish, duke sjellë njëfarë lehtësimi për forcat tokësore.
Bllokimi elektronik ishte një nga arsyet pse suksesi fillestar i dronëve TB2 në Ukrainë nuk zgjati. Specialistët rusë të luftës elektronike gjetën mënyrën për t’i neutralizuar. I njëjti fat u rezervua edhe ndaj predhave amerikane Excalibur të drejtuara me GPS, norma e goditjes së të cilave ra nga 70% në vetëm 6% brenda pak muajsh.
Gjatë betejës për rajonin e Kurskut, Rusia zhvilloi kontrollin e dronëve përmes kabllove me fibër optike, një version modern i një teknologjie të përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilën tani e përdorin të dyja palët.
William Owen, redaktor i Military Strategy Magazine dhe këshilltar i ushtrisë britanike, thotë se ushtritë më të stërvitura dhe më të pajisura nuk do të gjendeshin të bllokuara që në fillim.
Nëse pajisjet dhe trajnimet e nivelit të lartë izraelit do të përdoreshin kundër një kundërshtari të nivelit të Rusisë ose Ukrainës, argumenton ai, dronët FPV me vlerë 3,000 dollarë do të ishin “kryesisht, në mos plotësisht, të parëndësishëm”.
Në një fjalim para kadetëve ushtarakë kinezë vitin e kaluar, Admirali Sir Tony Radakin, atëherë shef i shtabit të Mbrojtjes së Britanisë, tha se mënyra britanike e luftës do të ishte gjithsesi thelbësisht ndryshe nga ajo që shihet në Ukrainë.
Modeli i saj, tha ai, do të ishte “sulmi i Izraelit ndaj Iranit [në vitin 2024], i cili shkatërroi të gjithë sistemin e mbrojtjes ajrore të vendit me një operacion të vetëm, brenda një nate të vetme, duke përdorur armë me rreze të gjatë veprimi, objektiva të përzgjedhur me saktësi të lartë dhe teknologji të gjeneratës së pestë”.
Por ushtritë rrallëherë përballen me luftën që do të donin të bënin. Sir Tony pothuajse me siguri ka të drejtë se në një luftë mes NATO-s dhe Rusisë, aleanca do të arrinte diçka të ngjashme me epërsinë ajrore, me kusht që Amerika të angazhohej plotësisht në konflikt. Por çfarë do të ndodhte më pas?
Epërsia ajrore jo vetëm që është bërë më e vështirë për t’u siguruar dhe për t’u ruajtur, thotë Franz-Stefan Gady, ekspert ushtarak austriak, por ajo sjell edhe më pak përfitime se dikur.
Nën lartësinë 4,000 metra, fusha e betejës po “shkëputet” gjithnjë e më shumë nga ajo që ndodh mbi këtë kufi. Ajo dominohet nga dronë të prodhuar në masë të llojeve të ndryshme dhe nga sisteme mbrojtëse që, edhe pse nuk mund të përballojnë numrin e madh të dronëve, vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për avionët më të mëdhenj dhe me vlerë të lartë.
Disa ekspertë kanë filluar ta quajnë këtë zonë “bregdeti ajror” (air littoral). Ashtu si flotat e mëdha detare po përballen gjithnjë e më shumë me vështirësi për të shfrytëzuar avantazhet e tyre kundër minave detare, baterive bregdetare dhe mjeteve të vogla lundruese në ujërat e cekëta pranë brigjeve, po kështu edhe forcat e mëdha ajrore duhet të shqetësohen për “ujërat e cekëta” në pjesën më të ulët të atmosferës.
Forcat ajrore duhet të shqetësohen për “ujërat e cekëta” në pjesën më të ulët të atmosferës
Kjo do të thotë se fuqia ajrore mund të ofrojë pak shpëtim nga luftimet e ashpra dhe vdekjeprurëse në distanca të shkurtra. Z. Gady i referohet përvojës së Forcave të Mbrojtjes së Izraelit gjatë dy viteve të fundit të operacioneve në Liban si provë të kësaj.
“Forcat izraelite kishin epërsi ajrore dhe ISR superiore (zbulim, mbikëqyrje dhe vëzhgim). Megjithatë, ato përsëri u detyruan të pastronin fshat më fshat me këmbësori, të pësonin humbje dhe të pranonin se sulmet ajrore, të vetme, as nuk e larguan Hezbollahun dhe as nuk sollën një rezultat politik”, thotë ai.
Në javët e fundit, Hezbollahu ka adoptuar dronë të kontrolluar përmes kabllove me fibër optike, si në Ukrainë, për të shkaktuar humbje te trupat izraelite.
Sipas argumentit të z. Owen, kjo nuk do të thotë se në Liban ekziston një ngërç. Përkundrazi, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit i janë përgjigjur duke e shtyrë ofensivën më thellë. Por kjo tregon se epërsia ajrore nuk është gjithçka.
Ushtritë që po u kushtojnë vëmendje këtyre zhvillimeve e shohin gjithnjë e më shumë epërsinë si diçka që duhet krijuar në kohë dhe vende specifike, “xhepa epërsie”, siç i quan Rob Lee, ekspert i luftës në Ukrainë.
Për shembull, Ukraina mund të ndërpresë operacionet e dronëve rusë në një vend dhe kohë të caktuar, duke verbuar operatorët e tyre, duke bombarduar pozicionet e tyre dhe duke sulmuar me dronët e saj. Duke pasur parasysh sa të fshehura dhe të shumta mund të jenë këto pozicione, një operacion i tillë mund të kërkojë javë të tëra përgatitjesh, manovrash mashtruese dhe grumbullimi informacioni.
Nëse ky “xhep” hapet me sukses, forcat e blinduara ukrainase do të përpiqeshin të depërtonin me shpejtësi dhe ta shfrytëzonin atë, duke avancuar pesë ose dhjetë kilometra përtej vijës së frontit dhe duke shkaktuar një tërheqje të çrregullt të armikut.
Në atë pikë, shpresa është që ekipet ruse të dronëve të largohen dhe linjat e tyre të “shemben”. Z. Lee thotë se pret të shohë gjatë këtij viti avancime të suksesshme të forcave të blinduara të bazuara në këto parime.
Kur z. Lee thotë se Ukraina ndodhet në një “moment të Luftës së Parë Botërore”, tundimi është ta kuptosh këtë vetëm në termat e palëvizshmërisë dhe konsumimit të forcave. Por ai po mendon edhe për taktikat e reja të vitit 1918, të cilat, duke kombinuar befasinë, goditjet e artilerisë të llogaritura paraprakisht dhe skuadrat e vogla të sulmit të trajnuara mirë, e bënë sërish të mundur depërtimin vendimtar dhe i dhanë fund luftës së llogoreve.
“Aftësitë mbrojtëse kanë marrë avantazhin”, thotë ai. “Tani do të shohim kërkesë për teknologji dhe taktika që do të ndihmojnë në rikthimin e luftës manovruese.”
Ironia e këtij inovacioni të veçantë në luftën e armëve të kombinuara, lloji i luftës që kërkon kontributin e forcave dhe njësive të ndryshme, ishte se gjermanët e mundur mësuan më shumë prej tij sesa britanikët dhe francezët, duke e zhvilluar më tej në mënyra që fituesit nuk i bënë.
Fitorja e Wehrmacht-it në Betejën e Francës, dy dekada më vonë, nuk pasqyroi tanke më të mëdha apo më të mira, por një doktrinë që kombinonte më mirë pikat e forta të forcave të blinduara, këmbësorisë, artilerisë dhe fuqisë ajrore.
Trajnimi është një mënyrë për të zhvilluar taktika të tilla përpara se të fillojnë luftimet reale. Por, megjithëse jetik, ai nuk mjafton kurrë. Z. Biddle thotë se një brigadë e pajisur mirë që ai vëzhgoi së fundmi në Fort Irwin, në shkretëtirën Mojave të Kalifornisë, ku ndodhet Qendra Kombëtare e Trajnimit e Ushtrisë Amerikane, ishte ende “sistematikisht e mangët”.
Ajo ishte aq e përqendruar te aftësitë e luftës së mekanizuar, të cilat konsiderohen të dobësuara me kalimin e kohës, sa kishte “shumë pak hapësirë mendore” për t’u përballur me risitë si lufta kundër dronëve. Qendrat e komandimit, bazat logjistike dhe sistemet e mbrojtjes ajrore ishin të gjitha të ekspozuara në mënyrë të rrezikshme.
Mënyra më e mirë për të mësuar është nga ata që po e bëjnë realisht luftën
Vëzhguesit në Ukrainë janë një pasuri për ushtritë europiane; po ashtu edhe veteranët ukrainas.
Vitin e kaluar, stërvitja “Hedgehog” pa operatorë ukrainas të dronëve do të ndihmonin në testimin e planeve të NATO-s për mbrojtjen e Estonisë. Stërvitja suedeze “Aurora” bëri diçka të ngjashme këtë vit. Rezultatet nuk e nxorën NATO-n në një dritë të favorshme.
“Ne dështuam dhe dështuam në mënyrë spektakolare”, thotë një zyrtar suedez i njohur me atë stërvitje. Por, shton ai, pikërisht ky ishte qëllimi: stërvitjet realiste ku humbet të mësojnë shumë më tepër sesa ato të inskenuara rëndom ku del mirë. Amerika e ka pasur më të vështirë të mësojë në këtë mënyrë, pjesërisht sepse ka vendosur shumë pak ushtarë brenda Ukrainës.
Ashtu si mënyrat e reja të luftës janë gjithmonë më komplekse sesa suksesi i një arme të vetme, edhe rënia e mënyrave të vjetra të luftimit është më shumë sesa humbja e rëndësisë së kampionit të djeshëm. Edhe një herë, tanku është një shembull i qartë i kësaj.
Njerëzit e dronëve do t’ju thonë se tanku ka vdekur. “Pse të dislokohet një tank”, pyet Ilya Sekirin, operator droni që ka këshilluar komandën e lartë të Ukrainës, “kur, me të njëjtën kosto dhe me shumë më pak rrezik për operatorët, mund të dërgosh disa dhjetëra robotë tokësorë me shina, të mbështetur nga tufa dronësh sulmues?”
Por kërcënimet e vjetra mbeten dhe mund të përshtaten. Z. Lee vëren se vitin e kaluar, brigadës së 20-të të mekanizuar të Ukrainës iu deshën më shumë se 60 dronë FPV për të ndalur avancimin e vetëm dy “tankeve breshkë”, automjete të blinduara të modifikuara rëndë për t’u përballur me dronët.
Edhe atëherë, një prej “breshkave” do të kishte kaluar dhe do të kishte shkaktuar dëme të mëdha pas vijave ukrainase, nëse nuk do t’i ishte prishur kutia e marsheve. Dhe çfarë duhet të shtyjë Ukraina përmes “xhepave të epërsisë”, nëse jo tanke?
Jetëgjatësia e armëve tradicionale është e dukshme edhe në luftëra të tjera të fundit. Në përplasjen e vitit të kaluar mes Indisë dhe Pakistanit, konflikti më serioz mes dy vendeve në 26 vjet, u komentua gjerësisht përdorimi i dronëve nga të dyja palët. Por goditjet më serioze u kryen nga avionë me pilot që lëshonin raketa të avancuara me rreze të gjatë veprimi.
Edhe në Ukrainë, pajisjet e kushtueshme të nevojshme për goditje në thellësi kanë rolin e tyre, për sa kohë që lëshuesit e mëdhenj dhe të cenueshëm të raketave, qofshin me shina, me rrota apo ajrorë, mbahen kryesisht jashtë syve dhe larg zonës së vrasjes.
Kjo i shtyn gjeneralët dhe admiralët që duan t’i kenë të gjitha të flasin për një “përzierje të lartë dhe të ulët”, ku armët e lira dhe të shumta plotësojnë një numër më të vogël armësh të shtrenjta dhe të avancuara.
Ata përpiqen të përqafojnë si teknologjitë ndryshe dhe përçarëse, ashtu edhe versionet më të reja e më të sofistikuara të armëve tradicionale të preferuara, si avionët luftarakë, destrojerët dhe, po, tanket. Ata premtojnë ushtri dhe flota “hibride”, ku sistemet pa pilot dhe robotike punojnë së bashku me tankët, avionët ose anijet tradicionale.
Por kjo nuk është mënyra se si ministritë po i shpenzojnë paratë. “Mendoj se po ecim në rrugën e investimit në teknologjinë e djeshme”, ankohet Matt Van Wagenen, gjeneral amerikan me dy yje, i dalë së fundmi në pension si zëvendësshef i shtabit për operacionet në komandën kryesore ushtarake të NATO-s. Procesi i planifikimit të mbrojtjes i aleancës, që përcakton se çfarë duhet të blejë, është “i bazuar në gjëra të dekadave të shkuara”, thotë ai.
Sipas tij, “një mjet luftarak 77 tonësh që djeg 500 galonë karburant çdo 12 orë në një fushëbetejë që do të jetë kryesisht transparente” nuk është zgjedhje e mençur.
“Formacionet e së ardhmes do të jenë jashtëzakonisht të pambështetura te njerëzit”, argumenton ai.
“Formacionet e së ardhmes do të jenë në masë dërrmuese pa pilot”, thotë Matt Van Wagenen.
Ky mund të jetë një parashikim i ekzagjeruar. Por për momentin, ushtritë që nuk janë përfshirë aktivisht në mënyrat e reja të luftës duket se kanë më shumë gjasa të investojnë më pak sesa duhet në to, si në taktikat dhe trajnimet përkatëse, ashtu edhe në pajisjet e nevojshme, sesa të investojnë tepër.
Shfaqja e fuqisë së pastër, në të cilën forcat ushtarake më të avancuara kanë investuar prej vitesh, shihet më qartë se kudo tjetër në luftën kundër Iranit. Megjithatë, objektivat që Donald Trump synonte të arrinte në këtë luftë, aq sa janë përcaktuar ndonjëherë qartë, mbeten të parealizuara. Dhe vazhdimi i së njëjtës qasje ushtarake nuk ka gjasa të sjellë rezultat shumë të ndryshëm.
Operacioni amerikan “Epic Fury” ka goditur 13 mijë objektiva, ndërsa Izraeli ka shtuar edhe mijëra të tjerë. Megjithatë, aftësia e Iranit për të kundërsulmuar vazhdon të ekzistojë. Ai ka përdorur raketat dhe dronët e tij për të goditur radarët e paralajmërimit të hershëm, avionët, dronët, pistat, kazermat, depot e karburantit dhe selitë e kundërshtarëve.
Këto kundërsulme, ndonëse më mbresëlënëse sesa prisnin shumë analistë, nuk kanë pasur një efekt të madh ushtarak. Megjithatë, vetë fakti që ato kanë qenë të mundura është i rëndësishëm, ashtu si edhe hija që arsenali i mbetur iranian hedh mbi Ngushticën e Hormuzit.
Irani mbetet ende në gjendje të prodhojë dronë me rreze të gjatë veprimi. Gjithashtu, inteligjenca amerikane tregon se vendi ruan ende 75% të lëshuesve të raketave që kishte para luftës dhe 70% të raketave të tij lundruese dhe balistike.
Eliminimi i 30% të raketave është, sipas standardeve historike, një arritje mbresëlënëse. Në vitin 1991, Amerika dhe aleatët e saj ndoqën me këmbëngulje raketat Scud të Saddam Hussein-it, duke dërguar forca speciale në shkretëtirë për të kërkuar lëshuesit e tyre dhe duke kryer më shumë se 1,500 misione ajrore kundër tyre. Nuk ka asnjë provë që qoftë edhe një lëshues i vetëm u shkatërrua.
Por në luftë nuk fitohen pikë vetëm sepse tejkalon rezultatet e dobëta të së kaluarës. Dështimi në Iran tregon se mbrojtësit e zgjuar, veçanërisht ata që kanë fatin të jetojnë në vende të mëdha me terren të thyer dhe plot strehime natyrore, mund të fshehin armë të mëdha dhe të fuqishme për muaj të tërë, edhe kur ndiqen nga dy prej forcave ajrore më të avancuara në botë.
Një përgjigje ndaj kësaj është shtyrja edhe më tej e teknologjisë, duke krijuar një vetëdije operative aq të plotë sa lëshuesit të zbulohen menjëherë sapo dalin nga vendet ku fshihen dhe “zinxhirë goditjeje” ku të dhënat rrjedhin pa pengesa, duke lejuar sulme të menjëhershme.
Siç vëren Sir Lawrence Freedman, historian ushtarak, disa mendimtarë ushtarakë kanë qenë prej kohësh të lidhur me idenë e “goditjes nokaut”, një goditje aq e fuqishme sa sjell vetë fitoren. Mbështetësit e fuqisë ajrore e mbushën shekullin XX me ide të tilla. Provat e suksesit ishin shumë më të pakta.
Sigurisht që ka hapësirë për përmirësim. Në Britani, për shembull, operacionet e përzgjedhjes së objektivave përdorin më shumë se 270 aplikacione të ndryshme që funksionojnë në 20 sisteme kompjuterike të ndryshme. Lidhja e tyre krijon probleme të shumta.
Ndonjëherë një sistem prodhon të dhëna shumë më shpejt sesa mund të përballojë rrjeti. Në librin e saj të fundit për Maven, një sistem amerikan për identifikimin e objektivave, gazetarja Katrina Manson shkruan se në fillim të luftës në Ukrainë, përdoruesit u detyruan të kërkonin nga kompanitë satelitore pajisje kriptimi me kapacitet më të lartë për të përballuar vërshimin e ri të informacionit.
Herë të tjera, dy sisteme janë thjesht të papajtueshme pa ndërhyrjen njerëzore, shpesh në formën e një operatori që lëviz fizikisht nga një terminal në tjetrin për të transferuar informacionin.
Teknologjia
Megjithatë, teknologjia po bëhet më efikase. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Britanisë thotë se koha nga “sensori te qitësi”, pra nga zbulimi i objektivit deri te goditja e tij, është ulur me 33%.
Ndërkohë, entuziastët e IA-së që drejtojnë sistemet amerikane të përzgjedhjes së objektivave po planifikojnë të shkojnë përtej nivelit të arritur në operacionin “Epic Fury”, i cili trajtonte rreth 400 objektiva në ditë.
Më herët këtë vit, Gjeneral Brigade Steve Carpenter, komandant i Komandës së 56-të Shumëdimensionale të Amerikës në Europë, deklaroi se dëshironte që njësia e tij të “zhvillonte” të paktën 1,500 objektiva çdo 24 orë. Një koleg i tij pranoi se kjo është “përtej kapaciteteve njerëzore”.
Znj. Manson raporton se kur sistemi Maven integrohet me modele të mëdha gjuhësore si Claude i kompanisë Anthropic ose Mistral i Francës, besohet se ai mund të gjenerojë deri në 5,000 objektiva në ditë.
Ka raste kur përzgjedhja më e shpejtë dhe më e saktë e objektivave mund të jetë vendimtare. Një nga arsyet pse Rusia nuk arriti kurrë epërsi ajrore në Ukrainë është se ukrainasit, të paralajmëruar nga shërbimet e inteligjencës, zhvendosën një pjesë të madhe të sistemeve të tyre të mbrojtjes ajrore pak para fillimit të luftës.
Sulmet e para, me të cilat Rusia shpresonte të verbonte kundërshtarin, goditën vendet bosh ku këto sisteme kishin qenë më parë.
Nëse Rusia do të kishte qenë në gjendje të përditësonte më shpejt informacionin për objektivat, mund t’i kishte shkatërruar menjëherë armët e zhvendosura. Kjo mund ta kishte ndryshuar rrjedhën e luftës.
Por nëse operacioni “Epic Fury” do të kishte pasur 4,000 objektiva në ditë në vend të 400, a do të kishte qenë proporcionalisht më efektiv? Ekziston një prirje që përzgjedhja e objektivave dhe veçanërisht matjet sasiore të saj, të shndërrohen në zëvendësim të strategjisë. Në Vietnam, forcat amerikane shpërblenin njësitë me leje dhe medalje për numër më të lartë viktimash të raportuara.
“Edhe një herë, me më shumë objektiva” e shndërron mitin e “goditjes nokaut” në kurthin e goditjeve të pafundme. Mjafton të shohësh historinë e Afganistanit, një vend që mund të konsiderohet varreza e fuqisë ajrore që nga koha e muxhahedinëve të armatosur me raketat Stinger. Në vitin 2003, Presidenti George W. Bush deklaroi se talebanët ishin goditur aq fort sa ishin “praktikisht jashtë loje”.
Në vitin 2017, kur Donald Trump shtoi bombardimet në Afganistan, Gjenerali John Nicholson, komandant i forcave të NATO-s në vend, deklaroi se “talebanët nuk mund të fitojnë në fushën e betejës”. (Lexues, ata fituan.)
Gady sheh në gjithë këtë atë që ai e quan “sindroma Belloc”, besimin se një përdorim i njëanshëm i forcës brutale në formën e saj më moderne dhe më efikase do të rezultojë gjithmonë vendimtar.
Referenca është për vargjet më të famshme të veprës The Modern Traveller (Udhëtari Modern), një satirë kundër imperializmit e shkruar nga Hilaire Belloc në vitin 1898. Kur përballet me një kryengritje vendase, William Blood, një nga kolonialistët britanikë lakmitarë, i pëshpërit vetes:
Çfarëdo që të ndodhë, ne kemi Mitralozin Maxim, ata jo.
Është e vërtetë që armët automatike si mitralozi Maxim luajtën rol vendimtar në “ndarjen e Afrikës”, duke u dhënë europianëve fitore të përgjakshme kundër forcave shumë më të mëdha. Por nuk është e vërtetë se ato, të vetme, mund t’u jepnin fund çdo forme rezistence, siç e mëson me koston e vet William Blood kur mbetet pa mbështetjen e atyre që armët e tij i mbronin.
Nëse në disa aspekte lufta ultramoderne kundër Iranit duket si vazhdim i tendencave ekzistuese, me teknologji të jashtëzakonshme dhe politikë të dobët shtetërore, aspekte të tjera të luftës moderne po evoluojnë me shpejtësi.
Rrjetet sociale
Prej kohësh është pretenduar se për ata që e shohin luftën moderne vetëm përmes ekraneve, ajo duket e sterilizuar. Në botën e sotme të rrjeteve sociale kjo po ndryshon rrënjësisht.
Llogaritë e Pentagonit dhe të Shtëpisë së Bardhë në rrjetet sociale kanë shfaqur me entuziazëm pamje reale të shkatërrimit, duke ndërthurur video të vlerësimit të dëmeve me citime dhe fragmente nga filmat e Hollivudit dhe duke përdorur shpërthimin e anijeve armike si skenat kulmore.
Sipërmarrës të ndryshëm krijojnë video nga dronët FPV që tregojnë fytyrat e tmerruara ose të dorëzuara të ushtarëve rusë dhe ukrainas të bllokuar, duke i shoqëruar me muzikë heavy metal. Lufta po i ngjan gjithnjë e më shumë ekzekutimeve të personalizuara të kontrolluara nga distanca.
Në një video FPV të veçuar nga Komanda e Trajnimit dhe Doktrinës së Ushtrisë Amerikane, një ushtar rus, i afruar nga një dron ukrainas, tregon me dorë drejt shokut të tij të plagosur që ndodhet në një hendek aty pranë, duke sugjeruar që të vritet ai në vend të vetes. Droni ndalet për një moment. Më pas hedh një granatë mbi ushtarin e dytë, duke e vrarë. Pastaj kthehet tek ushtari i parë dhe bën të njëjtën gjë.
Ky episod është tronditës. Nuk është domosdoshmërisht i paligjshëm. Asnjëri prej ushtarëve nuk ishte qartësisht jashtë luftimeve. Zyrtarët thonë se publiku beson se rregullat e luftës janë shumë më kufizuese sesa janë në të vërtetë.
Nëse Hamasi ka ndërtuar një tunel poshtë një ndërtese, mund të jetë e ligjshme shembja e saj. Nëse Irani përdor një urë për të transportuar raketa, nuk është domosdoshmërisht e paligjshme ta shkatërrosh atë, edhe nëse ura përdoret edhe nga civilët.
Megjithatë, përtej keqkuptimeve të publikut, Gjenerali Van Wagenen thotë se është “i tronditur” nga “erozioni i plotë” i ligjeve të luftës në vitet e fundit. “Kolegët e mi janë po aq të tronditur”, thotë ai.
Janina Dill, bashkëdrejtuese e Institutit të Oksfordit për Etikën, Ligjin dhe Konfliktin e Armatosur, vë në dukje dy zhvillime të rëndësishme. Njëri është rikthimi i gjuhës ndëshkuese, kërcënimeve për hakmarrje që shpesh afrohen me ndëshkimin kolektiv.
Tjetri është kërcënimi ndaj kategorive të tëra objektivash, si urat dhe centralet energjetike. Të dyja janë bërë të zakonshme në retorikën e Donald Trump dhe sekretarit të tij të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Kur glorifikohet retorika e vrasjes, a është larg momenti kur vrasja përdoret vetëm për efekt propagandistik?
Në vitin 2011, Steven Pinker, profesor në Harvard, i kushtoi një libër të tërë, The Better Angels of Our Nature (Engjëjt më të mirë të natyrës sonë), tezës provokuese se njerëzimi po bëhej më pak i dhunshëm.
Një nga provat që ai paraqiste ishte rënia e numrit të luftërave dhe viktimave të tyre. Politologu John Mueller ka mbrojtur një argument të ngjashëm. Në vitin 2020, ai argumentonte se 30 vitet e mëparshme kishin parë vetëm katër luftëra të mëdha mes shteteve.
Koha nuk i dha të drejtë. Pak më vonë, Vladimir Putin nisi luftën më të madhe tokësore në Europë që nga viti 1945. Analiza të mëvonshme kanë treguar se periudha e paqes mes fuqive të mëdha pas vitit 1945 do të duhej të zgjaste edhe të paktën një shekull tjetër për t’u konsideruar një trend statistikisht domethënës. Në këtë kuptim, rënia e luftës mund të ketë qenë thjesht zhurmë statistikore.
Edhe argumenti i Pinker për uljen e viktimave është pjesërisht mashtrues. Po, numri i të vrarëve në betejë ka rënë. Por mjekësia ushtarake, mbrojtja personale dhe evakuimet janë përmirësuar ndjeshëm. Shumë ushtarë që dikur do të kishin vdekur, sot mbijetojnë të plagosur. Ky është progres, por jo domosdoshmërisht provë e një bote më paqësore.
Dhe pastaj janë armët bërthamore.
Shumë do të argumentonin se arsenalet bërthamore kanë luajtur rol vendimtar në mungesën e konflikteve të drejtpërdrejta mes fuqive të mëdha që nga viti 1945. Por ky rol mbështetet te mundësia që ato të përdoren një ditë.
Nëse një shkëmbim i madh bërthamor dhe pasojat e tij klimatike do të vrisnin qindra miliona njerëz, statistikat mbi tendencat afatgjata të vdekshmërisë nga dhuna do të kërkonin një përditësim dramatik, nëse do të mbetej kush për t’u shqetësuar për to.
Tetë vitet e fundit nuk kanë sjellë rrëshqitje përfundimtare drejt luftës bërthamore. Por as shenjat nuk kanë qenë inkurajuese. Epoka e marrëveshjeve për kontrollin e armëve bërthamore po i afrohet fundit.
Fatet e ndryshme të Kim Jong Un, Saddam Hussein dhe Ali Khameneit duket se ua kanë bërë të qartë shteteve me ambicie bërthamore dy rrugët e mundshme: ose ta braktisin idenë, ose të angazhohen plotësisht dhe ta bëjnë shpejt.
Frika nga përdorimi i armëve bërthamore taktike në Ukrainë, e cila arriti kulmin në tetor 2022 kur spiunët amerikanë vlerësonin se kishte 50% mundësi që Rusia t’i përdorte nëse Krimea rrezikohej seriozisht, është zbehur. Por kjo nuk do të thotë se nuk ekzistojnë vija të kuqe. Do të thotë vetëm se askush nuk është i sigurt se ku ndodhen ato. Dhe kjo nuk është aspak qetësuese.
Shërbimet e inteligjencës vlerësonin se kishte 50% mundësi që Rusia t’i përdorte ato nëse një depërtim i suksesshëm i ukrainasve do të rrezikonte Krimenë.
Pasiguritë
Këto pasiguri do të bëheshin shumë më të dukshme nëse Kina do të përpiqej të aneksonte Tajvanin me forcë. Fuqitë bërthamore kanë shkuar në luftë edhe më parë dhe kujdesi me të cilin India dhe Pakistani kanë sinjalizuar qëllimet e tyre ndaj njëri-tjetrit tregon se rreziqet e përshkallëzimit në konflikte të tilla mund të menaxhohen me njëfarë suksesi, për sa kohë që konfliktet ndjekin rrjedha të njohura dhe të kuptueshme.
Por nëse Amerika do t’i vinte në ndihmë Tajvanit, bota do të shihte dy fuqi bërthamore që do të përballeshin drejtpërdrejt me forcat e njëra-tjetrës në një mënyrë krejtësisht të re, ndërsa në sfond do të qëndronte një fuqi e tretë bërthamore, thellësisht e paparashikueshme, Koreja e Veriut.
Do të ishte një përballje e një lloji të ri, sepse bota nuk ka parë se çfarë mund t’i bëjnë njëra-tjetrës flotat detare të oqeanit të hapur për gati një shekull.
Si do të dukej revolucioni i transparencës kur të vihej në provë mbi, nën dhe në sipërfaqen e një oqeani të madh, ku monitorimi është shumë i vështirë? Cilat taktika të reja do të krijonin “xhepa” apo momente epërsie? Cilat taktika të vjetra do të dështonin?
Pikërisht sepse këto pyetje nuk kanë ende përgjigje të qarta, Amerika beson se roli i saj në një luftë të tillë do të ishte të godiste “indin lidhës” të makinerisë ushtarake kineze, dhe jo anijet apo avionët individualë, duke paralizuar procesin e saj të vendimmarrjes.
Por, siç paralajmëron z. Gady, kjo do të nënkuptonte sulme tepër të shpejta ndaj shumë prej sistemeve që Kina përdor gjithashtu për të kontrolluar forcat e saj bërthamore. Rreziku i llogaritjeve të gabuara do të ishte jashtëzakonisht i madh.
Duke parë atë që po ndodh në Ukrainë, Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës vështirë se mund ta presë me entuziazëm idenë e pushtimit të një vendi aq të avancuar teknologjikisht sa Tajvani, veçanërisht duke pasur parasysh se linjat e saj të furnizimit do të ishin të ekspozuara ndaj sulmeve të nëndetëseve, platformave ushtarake që deri më tani i kanë rezistuar më mirë revolucionit të transparencës.
Megjithatë, liderët politikë duket se mbeten optimistë të përhershëm kur bëhet fjalë për përdorimin e luftës si instrument të politikës shtetërore dhe për aftësinë e tyre për të kontrolluar me saktësi rrjedhën e saj. Pavarësisht provave që kanë përpara syve, ata vazhdojnë të jenë nën ndikimin e iluzionit të rrezikshëm se teknologjia do t’u sigurojë “goditjen nokaut” vendimtare./ad
