Last Updated on 17/12/2025 by Monika
Politikani Nard Ndoka komentoi sot situatën e krijuar brenda Partisë Demokratike, pas zhvillimeve të ditëve të fundit.
Ndoka u shpreh sot se zgjidhja më e mirë sipas tij, është që opozita të ngrijë aksionin e vet politik me protesta, pasi në këtë moment po kalon një moment mosbesimi nga militantët dhe qytetarët.
Sipas Ndokës, duhet krijuar një frymë me prurje të reja, pasi “fshesa” brenda PD-së nuk sjell më rezultat.
“Me atë Kod Zgjedhor, e djathta nuk mund të fitojë më. Vetëm me dy qarqe, Fier dhe Vlorë, Rama fiton. Për fat të keq, edhe sot PD-ja nuk e artikulon këtë realitet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. E dyta, sot PD-ja mblodhi Këshillin Kombëtar pas 6 muajsh. Këshilli duhej mbledhur para se të niste Parlamenti.
Opozita duhet të ngrinte aksionin e vet politik. U hap një gropë mosbesimi edhe mes militantëve dhe ky boshllëk zgjati shumë, 6 muaj. Qytetarët sot e kanë humbur shpresën te opozita dhe fatkeqësisht, lidershipi i PD-së nuk e ka të qartë realitetin në terren. Këto flasin si UFO. Akoma e kanë mendjen te “fshesa” te partia. Nuk e kuptojnë që me fshesën po u del dyshemeja partisë sepse nuk kanë çfarë fshijnë më. Duhej krijuar një frymë me prurje të reja, me hapje të partisë, me vizion.
Si nuk mban asnjëri përgjegjësi… Kjo është ajo që i mungon opozitës, pjesa morale dhe besimi i qytetarëve. Por, janë probleme që rregullohen sepse nuk është se opozita nuk mund të ringrihet. Është moment kalimtar”,- u shpreh Ndoka./mxh
