Last Updated on 27/10/2026 by Monika
Meghan Markle do të jetë pjesë e sezonit të ri të “Junior MasterChef Australia”, që rikthehet në ekran në vitin 2027 pas gjashtë vitesh ndërprerje. Dukesha e Sussex-it do të bashkëpunojë me kuzhinieren australiane Poh Ling Yeow, ndërsa xhirimet pritet të zhvillohen në Melburn, për disa javë gjatë fillimit ose mesit të vitit të ardhshëm.
Meghan do të rikthehet në kuzhinën e spektaklit pas paraqitjes si gjyqtare e ftuar në edicionin për të rritur të “MasterChef Australia”, në prill të këtij viti. Sipas transmetuesit, episodi ku ajo mori pjesë tërhoqi audiencën më të madhe të së dielës për programin që nga viti 2023.
“Kalova një kohë të mrekullueshme me të gjithë ekipin e ‘MasterChef’ në prill dhe, kur më propozuan të rikthehesha për të punuar me këtë grup të rinjsh plot talent, përgjigjja ime ishte e menjëhershme”, u shpreh Meghan.
Ajo shtoi se i pëlqen të gatuajë me fëmijët e saj dhe se mezi pret të shohë krijimet e konkurrentëve të vegjël. Edhe Poh Ling Yeow e mirëpriti rikthimin e spektaklit, duke u shprehur e entuziazmuar për bashkëpunimin me dukeshën.
Megjithatë, emërimi i Meghanit ka nxitur edhe reagime në Australi. Në një raportim të publikuar nga News.com.au, konkurrentët e rinj përshkruhen si “të zhgënjyer” nga zgjedhja e saj si bashkëprezantuese.
Një tjetër çështje që ka tërhequr vëmendjen është siguria e Meghanit gjatë qëndrimit në Australi. Sipas medias, qeveria e shtetit të Viktorias kanë përjashtuar përdorimin e fondeve publike për të mbuluar shpenzimet e sigurisë së saj.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse princi Harry dhe dy fëmijët e çiftit, Archie dhe Lilibet, do ta shoqërojnë Meghanin gjatë qëndrimit në Melburn. Deri tani nuk është konfirmuar asnjë plan për udhëtimin e tyre, ndërsa angazhimi televiziv i Meghanit pritet të zgjasë disa javë.
Rikthimi në televizion vjen në një moment kur Meghan po vazhdon angazhimet e saj në fushën e argëtimit dhe të sipërmarrjes, pas dy sezoneve të emisionit të saj të stilit të jetesës, “With Love, Meghan”, në Netflix./mxh
